Zëdhënësi i Shtabit të KFOR-it, Andrea Gallieni, ka deklaruar se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e situatës në veri ndërsa tha se pas protestave të dhunshme të 29 majit qëndronin grupe kriminale.

 

“Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurë, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë. Ishte e qartë se atje njerëzit po përpiqeshin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që përpiqeshin të sulmonin trupat e KFOR-it”

 

Ai ka thënë gjithashtu se KFOR-i nuk do të marrë kontrollin e veriut por se do të jetë i gatshëm për të reaguar nëse do të ketë sërish tensione.

 

“Nuk është në vullnetin e KFOR-it të marrë kontrollin. KFOR-i e ka rritur praninë në veri për shkak të kësaj proteste, për shkak të kësaj krize, por nuk është objektiv që të jetë prezent në veri të Kosovës, më shumë se që është e nevojshme. KFOR-i është një organizatë ushtarake dhe mund të dislokohet sipas nevojës në terren për të siguruar një mjedis të sigurt. Nuk ka afat për praninë e KFOR-it në veri”

 

Zyrtari i KFOR-it,  tha gjithashtu se prej 5 qershorit, mbi 500 pjesëtarë të NATO-s kanë shkuar në Kosovë, për të përforcuar misionin dhe do të qëndrojnë aty për sa kohë të jetë e nevojshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re