Skip to content

KFOR, qëndrim mbi kapjen nga serbët të tre policëve kosovarë

363104 collage maker 14 jun 2023 02 29 pm 9540 orig.webp

KFOR është shprehur më në fund për rastin e kapjes nga serbët të tre policëve kufitarë të Kosovës, duke treguar paaftësi në përcaktimin nëse kjo ka ndodhur në territorin kosovar apo atë serb.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, KFOR thotë se mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës në momentin e arrestimit.

Në Bare, në lokacionin ku ndodhur ngjarja, KFOR thotë se institucionet e Kosovës ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in.

“Iu rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”, thuhet në komunikatë.

KFOR gjithashtu nxiton të kujtojë se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

“U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”, vijon komunikata.

KFOR-i thotë se mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.