Autoritetet ukrainase akuzuan të martën Rusinë për një fushatë dezinformimi që synon të përçajë aleatët e Ukrainës dhe të “demoralizojë” shoqërinë ukrainase.

Rusia nisi një “plan provokimesh” për të “reduktuar mbështetjen perëndimore” për Kievin, thanë shërbimet ukrainase të sigurisë, raporton AFP.

“Qëllimet kryesore të armikut janë të pengojë mobilizimin e Ukrainës, të përhapë dezinformata rreth paaftësisë së Ukrainës për të fituar, të krijojë dhe të përhapë informacione të rreme për lodhjen e pretenduar të Ukrainës midis partnerëve dhe aleatëve tanë”, thuhet në deklaratë.

Ukraina varet shumë nga armët e avancuara dhe furnizimet me municion nga aleatët perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu bërë ballë sulmeve intensive nga forcat ruse, të cilat nisin pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Rusia po përpiqet të “demoralizojë ukrainasit, të mbjellë panik në mesin e popullatës” dhe të organizojë një valë protestash antiqeveritare, thanë zyrtarët ukrainas.

Sipas tyre, ai “operacion special” i cili duhet “të arrijë kulmin nga marsi në maj” synon të “vë në pikëpyetje legjitimitetin” e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i zgjedhur në vitin 2019 për një mandat pesëvjeçar që, teorikisht, duhet të përfundojë në pranverë.

Kushtetuta e Ukrainës ndalon çdo zgjedhje gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është në fuqi në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, kur rreth 20 për qind e territorit të vendit u pushtua.

Miliona votues ukrainas janë refugjatë jashtë vendit, por asnjëri prej tyre nuk beson se mungesa e votimit do ta bëjë Zelenskyn një president të paligjshëm, thuhet në deklaratë.

“Sipas planit të armikut, gjatë gjysmës së parë të qershorit, situata në vendin tonë do të destabilizohet” dhe Rusia “do ta përdorë këtë për t’i shkaktuar një disfatë ushtarake Ukrainës”, vlerësojnë shërbimet ukrainase.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re