Diplomatët kryesorë në vend vazhdojnë të apelojnë për ngritjen e gjykatës kushtetuese brenda një muaji.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, dhe ambasadori i BE Luigi Soreca kanë takuar sot Vitore Tushën, kryetaren e këshillit të emërimeve në drejtësi, i cili është institucioni kyç për kualifikimin e kandidatëve për gjykatën kushtetuese.
LUIGI SORECA
AMBASADOR I BE
“KED do të mblidhet nesër dhe është kritike që të çohet përpara procesi, duke u bazuar mbi opinion e Komisionit të Venecias, në mënyrë që Shqipëria të ketë deri në fund të vitit një Gjykatë Kushtetuese funksionale.”
YURI KIM
AMBASADORE E SHBA
“Kur kjo të ndodhë, liderët; Ilir Meta, kryeparlamentari Ruçi dhe kryetarja e KED Tusha do të marrin meritat për marrjen e masave urgjente në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias dhe në përgjigje të kërkesës së popullit shqiptar për Reformë në Drejtësi.”
Të dy ambasadorët i janë referuar si busull opinionit të Venecias, i cili ndër të tjera i hap rrugë këshillit të emërimeve në drejtësi t’i çojë presidentit edhe parlamentit më pak se 3 kandidaturat që parashikon kushtetuta.
Dhe mesa duket kjo është situatë që do të ndodhë me kandidatët për gjykatën kushtetuese.
Për një vakancë të shpallur nga presidenti kanë mbetur vetëm 2 kandidatë të kualifikuar, Sonila Beteja e Altin Binaj; për një vakancë të parlamentit janë ende në shqyrtim dy kandidatë Altin Binaj dhe Ardita Alsula; por meqë kjo e fundit është skualifikuar më parë nga këshilli tashmë është e sigurt se i vetmi kandidat në garë do të mbetet Altin Binaj.
Mësohet se presidenti do të bëjë zgjedhjen e tij mes dy kandidatëve që do t’i nisë këshilli e nga ana tjetër edhe parlamenti do të vazhdojë procesin edhe pse në garë ka vetëm një emër, Altin Binaj duke bërë që kushtetuesja në fund të vitit të ketë 6 anëtarë e të quhet funksionale.
