Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka thënë se vendi i tij është gati të mobilizojë një arsenal bërthamor për t’u përballur me Amerikën, ndërsa kritikoi presidentin e ri të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, duke paralajmëruar se Seuli po e çon situatën në prag të luftës.

Kim i bëri këto komente gjatë një fjalimi në shënimin e 69-vjetorit të armëpushimit në Luftën Koreane, e cila la Veriun dhe Jugun teknikisht ende në luftë, sipas agjencisë së lajmeve KCNA të Veriut.

“Forcat tona të armatosura janë përgatitur në detaje për t’iu përgjigjur çdo krize dhe mbrojtja jonë bërthamore është e gatshme të mobilizohet shpejt me forcë të plotë, për të vepruar me saktësi dhe në kohë”, tha Kim Jong-un.

Fjalimi i Kim Jong-un vjen pasi zyrtarët në Seul dhe Uashington thanë se Pheniani kishte përfunduar përgatitjet për të kryer testin e tij të parë bërthamor që nga viti 2017.

“Standardet e dyfishta të Amerikës”

Ministria e Unifikimit të Koresë së Jugut tha se kishte një “mundësi” të testeve rreth përvjetorit, megjithëse ministri tha se “nuk kishte sinjale të menjëhershme se një gjë e tillë do të ndodhë”.

 Kim Jong-un tha se Uashingtoni dhe Seuli vazhdojnë me “akte të rrezikshme, të paligjshme, armiqësore” kundër Veriut dhe u përpoqën të justifikonin sjelljen e tyre duke “demonizuar” Phenianin.

“Standardi i dyfishtë i Amerikës, i cili i quan të gjitha veprimet tona rutinë një “provokim” dhe një “kërcënim”, ndërkohë që zhvillon njëkohësisht stërvitje të mëdha të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, që rrezikon sigurinë tonë – është fjalë për fjalë si grabitje. Ajo i sjell marrëdhëniet dypalëshe në një pikë pothuajse pa kthim, dhe çon në konflikt”, shtoi Kim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re