Skip to content

Kim Jong Un, në koma pas një hemorragjie cerebrale?

unverified claims say kim jong un is in a coma after brain hemorrhage 3230652 20261019213018

Pretendime të pakonfirmuara që po qarkullojnë në rrjetet sociale thonë se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ndodhet në koma pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale.

Sipas këtyre pretendimeve, ai është transportuar me urgjencë jashtë vendit për trajtim mjekësor, për shkak të kapaciteteve të kufizuara shëndetësore në Phenian.

Në disa postime thuhet se është dërguar në Spitalin e Kolegjit Mjekësor të Bashkimit të Pekinit, në Kinë. Megjithatë, asnjë prej këtyre informacioneve nuk është konfirmuar nga burime zyrtare ose të pavarura.

Kim Jong Un u shfaq për herë të fundit në publik më 11 tetor, gjatë një vizite në një muze të ri të mbrojtjes, në një vendndodhje të paspecifikuar në Phenian. Sipas fotografive të publikuara nga vizita, ai shoqërohej nga vajza e tij 13-vjeçare, Kim Ju Ae.

Analisti i Koresë së Veriut, Benedict Rogers, tha se nëse thashethemet vazhdojnë të përhapen, pret që autoritetet në Phenian të publikojnë prova për gjendjen e liderit.

Ai kujtoi se spekulime të ngjashme kanë qarkulluar edhe më parë. Sipas tij, Kim nuk duket në gjendje të mirë shëndetësore dhe është jashtëzakonisht mbipeshë.

Rogers vuri në dukje se, në rastet kur kanë vdekur udhëheqësit e mëparshëm të vendit, regjimi ka organizuar shfaqje masive zie publike, me turma që vajtonin në rrugë dhe spikerë televizivë që shfaqeshin të përlotur.

Deri tani nuk ka pasur skena të tilla. Sipas analistit, nëse Kim ka vdekur, autoritetet mund të organizojnë një reagim të tillë, ndërsa nëse është gjallë, mund të publikojnë prova që dëshmojnë se është mirë.

Thashethemet për shëndetin e liderit nuk janë të reja. Në vitin 2020, pasi ai u zhduk për disa javë nga jeta publike, në rrjetet sociale u përhapën pretendime se kishte vdekur. Në atë kohë, një ish-diplomat deklaroi se Kim ndodhej në koma dhe se pushteti mund t’i kalonte motrës së tij, Kim Yo Jong.

Çështja e pasardhësit mbetet një nga pikëpyetjet kryesore për të ardhmen e regjimit. Kim Yo Jong, 38 vjeçe, ushtron ndikim të konsiderueshëm në strukturat drejtuese të vendit dhe shihet si një kandidate e mundshme për të marrë përkohësisht drejtimin në rast se vëllai i saj nuk do të ishte më në gjendje të qeveriste.

Analistët kanë spekuluar se ajo mund të qëndronte në krye të vendit derisa Kim Ju Ae të arrinte moshën për të marrë pushtetin. Të hënën, Kim Yo Jong deklaroi se Pheniani po shqyrtonte mundësinë e vendosjes së armëve taktike shtesë pranë kufirit me Korenë e Jugut.

Shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut, kanë vlerësuar prej kohësh se Kim Ju Ae, e cila është shfaqur për herë të parë publikisht në nëntor 2022, gjatë një prove raketore, mund të jetë pasardhësja e të atit. Megjithatë, ajo nuk është shpallur zyrtarisht si trashëgimtare e pushtetit.

Në fillim të këtij muaji, raportime që citonin Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës së Koresë së Jugut pohonin se Kim peshon mbi 140 kilogramë, edhe pse ka një gjatësi rreth 170 centimetra. Sipas vlerësimeve të këtij institucioni, mbipesha e theksuar dhe duhanpirja e rëndë mund t’i rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Kim Jong Un e mori pushtetin pas vdekjes së të atit, Kim Jong Il, në vitin 2011. Në vitin 2013, ai urdhëroi ekzekutimin e xhaxhait të tij, Jang Song Thaek, me pushkatim, duke treguar ashpërsinë me të cilën regjimi trajton rivalët e brendshëm. \\