Kina ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të mbajë një konferencë ndërkombëtare paqeje “autoritative” për zgjidhje politike të çështjes palestineze.

Duke i kërkuar KS të OKB-së që të ndërmarrë “veprime më aktive dhe energjike për çështjen palestineze”, diplomati kinez Geng Shuang tha: “Kina bën thirrje për një konferencë ndërkombëtare paqeje më të madhe, më autoritative dhe më me ndikim, në të cilën anëtarët e përhershëm të Këshillit dhe të gjitha palët e interesuara në procesin e Lindjes së Mesme ftohen të marrin pjesë në eksplorimin e mënyrave dhe mjeteve efektive për të gjetur zgjidhje politike të çështjes palestineze”.

Gjatë një debati rreth situatës në Lindjen e Mesme në KS të OKB-së të martën, Shuang i kërkoi organit të OKB-së që të bashkëpunonte me Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI) në mënyrë që të ndërmerren përpjekje më të gjera dhe më efektive për promovimin e paqes.

Zëvendës shefi i misionit kinez në OKB tha se procesi i paqes në Lindjen e Mesme “ende nuk ka lëvizur”, thuhet në deklaratën e misionit.

Duke shprehur shqetësimet për moszbatimin e rezolutave të OKB-së, Shuang tha se të drejtat legjitime të popullit palestinez janë shkelur vazhdimisht dhe se gjendja e tyre e vështirë është përkeqësuar më tej.

“Izraeli vazhdon me shtrirjen e aktiviteteve të saj të vendbanimeve në territoret e pushtuara, ku më shumë se 300 vendbanime janë ndërtuar deri më tani dhe më shumë se 700 mijë kolonë janë shpërngulur atje, duke vazhduar kështu të ndrydhë hapësirën e jetesës së popullit palestinez dhe duke minuar perspektivën e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez”, tha ai.

Shuang i kërkoi Izraelit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të zbatojë Rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit si dhe të ndalojë menjëherë të gjitha aktivitetet e vendbanimeve.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re