Skip to content

Kina dëbon konsullin e Kanadasë në Shangai

Kina është hakmarrë ndaj vendimit të Kanadasë për të shpallur “non-grata” një diplomat kinez, duke dëbuar konsullin e Kanadasë në Shangai.

 

Të hënën, Kanadaja e shpalli diplomaten kineze Zhao Wei “persona non grata” dhe e urdhëroi atë të largohej nga vendi. Si përgjigje, Kina urdhëroi të martën largimin e Jennifer Lynn Lalonde, diplomate kanadeze në Konsullatën e saj në Shangai.

 

“Kina rezervon të drejtën për të reaguar më tej,” tha Pekini në një deklaratë.

 

Të dy diplomatët kanë pesë ditë kohë për të dalë nga vendet.

 

Censurat shënojnë një përkeqësim të konsiderueshëm në marrëdhëniet midis Otavës dhe Pekinit pas raporteve për ndërhyrje politike kineze në Kanada, raporton BBC.

 

Kanadaja e kishte akuzuar Kinën se kishte vënë në shënjestër ligjvënësit e saj opozitar Michael Chong dhe të afërmit e tij në Hong Kong, pasi Chong akuzoi Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut.

 

Të enjten e kaluar, Kanadaja thirri ambasadorin e Kinës për të përsëritur se Kanadaja nuk do të toleronte ndërhyrjen në punët e saj.