Kina dhe Rusia vendosën veto ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që kërkon rritjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut për shkak të testimeve raketore balistike.

Rezoluta e propozuar nga SHBA-ja për rritjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, u votua në KS-OKB-në me 15 anëtarë.

Derisa 13 vende kanë dhënë mbështetje, Kina dhe Rusia vendosën veto ndaj rezolutës e cila parashikonte që eksporti vjetor i naftës së papërpunuar në Korenë e Veriut të pakësohet me 1 milion fuçi dhe të bie në 3 milionë fuçi ndërsa eksporti i naftës së rafinuar të pakësohet me 125 mijë fuçi dhe të bie në 375 mijë fuçi.

Për pranimin e një rezolute në KS-OKB është e nevojshme që të paktën 9 nga 15 anëtarët e saj të votojnë pro dhe që asnjë nga anëtarët e përhershëm SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca të mos përdorin të drejtën e vetos.

Projekt-rezoluta e cila parashikon ndalimin e eksporteve të duhanit dhe produkteve të duhanit në Korenë e Veriut, synonte të ndalonte edhe eksportin e “karburanteve minerale, vajrave minerale dhe produkteve të përfituara nga distilimi i tyre”.

Në të njëjtën kohë projekt-rezoluta parashikonte ngrirjen e aseteve të “Lazarus Group” piratit kumpjuterik që theksohet se ka lidhje me inteligjencën e Koresë së Veriut.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield në një deklaratë para votimit, tha se Koreja e Veriut ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke zhvilluar armët e shkatërrimit masiv dhe duke testuar 6 raketa balistike ndërkontinentale që nga fillimi i këtij viti.

Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB tha se sanksionet e reja do të kenë pasoja humanitare mbi Korenë e Veriut e cila po përpiqet të përballojë pandeminë COVID-19 dhe se sanksionet shtesë në vend që të zgjidhin problemin do të rrisin edhe më shumë tensionet.

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia akuzoi SHBA-në se në vend të dialogut ka zgjedhur sanksionet dhe një qëndrim “armiqësor” kundër Koresë së Veriut.

KS-OKB zbaton sanksione ekonomike dhe ushtarake ndaj Koresë së Veriut që nga viti 2006 për shkak të programit të saj bërthamor.

Në përputhje me vendimin e marrë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 26 prill, Rusia dhe Kina në ditët në vijim në Asamblenë e Përgjithshme prej 193 anëtarësh do të duhet të mbrojnë vendimin e tyre për vendosjen e vetos ndaj sanksioneve shtesë kundër Koresë së Veriut.

AP-OKB e cila pritej të ishte garantuese e paqes globale ka marrë një vendim për “kërkimin e llogarisë” në përdorimin e vetos nga 5 vendet anëtare të përhershme SHBA-ja, Kina, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca të cilat me të drejtën e tyre të vetos shumë herë e bëjnë jofunksional KS-OKB-në.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re