Presidenti amerikan Donald Trump në kuadër të vizitës zyrtare tre ditore në Kinë u takua me presidentin e Kinës Xi Jinping. Gjatë takimit në Sallën e madhe popullore në sheshin “Tiananmen” të Pekinit dy liderët kanë vënë theksin mbi bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë.
Jinping tha se me Trump kanë gjetur mundësinë të zhvillojnë takime gjithëpërfshirëse dhe kanë shkëmbyer thellësisht pikëpamje mbi një sërë çështjesh globale dhe rajonale. Ai ka theksuar se marrëdhëniet Kinë-SHBA janë në interes të paqes, mirëqenies dhe stabilitetit në botë.
“Bashkëpunimi është rruga e vetme dhe e drejtë për Kinën dhe SHBA-në”, tha Jinping duke shtuar se “një e ardhme më e mirë mund të përballohet nga parimi fito-fito”.
Presidenti kinez tha se marrëdhëniet Kinë-SHBA janë në fillim të një historie të re dhe se do të vazhdojnë të zhvillohen në kuadër të parimeve të respektimit të ndërsjellë dhe besimit duke ofruar përfitime për popujt e botës, shkruan aa.
“Edhe në çështjen e Koresë së Veriut mendojmë të njëjtën gjë” 
Ndërsa presidenti amerikan Trump vuri në dukje se kanë rënë dakord për shumë çështje, përfshirë edhe çështjen e Koresë së Veriut.
“Për fat të keq, qeveritë tona të mëparshme shkaktuan që marrëdhëniet SHBA-Kinë të dilnin jashtë kontrollit, por unë do të përpiqem të punoj në interesin e të dy palëve duke korrigjuar mosbalancimin midis dy vendeve”, deklaroi Trump.
Në vazhdim presidenti Trump tha: “Unë besoj se miqësia jonë do të vazhdojë në vitet në vijim. Ne do të zgjidhim jo vetëm problemet mes nesh, por edhe problemet dhe krizat që kërcënojnë sigurinë në të gjithë botën”.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re