Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të lirojnë “menjëherë” presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, të cilët ndodhen në paraburgim në SHBA, pasi u arrestuan nga forcat amerikane në kryeqytetin venezuelian Karakas.
“Kina i kërkon SHBA-ve të garantojë sigurinë personale të presidentit Maduro dhe bashkëshortes së tij, t’i lirojë ata menjëherë, të ndalë përpjekjet për të minuar regjimin venezuelian dhe ta zgjidhë këtë çështje përmes dialogut dhe negociatave”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Pekini ka reaguar ashpër edhe më herët, duke deklaruar se është “thellësisht i tronditur dhe dënon fuqishëm përdorimin e hapur të forcës nga SHBA-të kundër një shteti sovran”.
Reagimi i Kinës vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, pasi autoritetet amerikane konfirmuan se Maduro u transportua fillimisht me helikopter në Manhattan dhe më pas u dërgua në një burg federal në Brooklyn, nën masa të rrepta sigurie, sipas pamjeve të publikuara nga CNN.
Ndërkohë, në Karakas, Gjykata Supreme e Venezuelës ka vendosur që zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez të marrë përkohësisht drejtimin e vendit, duke ushtruar kompetencat e kreut të shtetit për të garantuar “vazhdimësinë administrative dhe mbrojtjen e kombit”. Megjithatë, gjykata nuk e ka shpallur Maduron përfundimisht të munguar nga detyra, një vendim që do të hapte rrugën për zgjedhje të reja brenda 30 ditëve.
Situata pritet të thellojë përplasjen diplomatike mes Uashingtonit, Pekinit dhe aleatëve të Venezuelës, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet e radhës.



