Jo vetëm stërvitje ushtarake në afërsi të Tajvanit, por edhe një seri masash ndëshkuese ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është kundërpërgjigja e Kinës që vjen si pasojë e vizitës zyrtare që kryedemokratja e lartë Nancy Pelosi pati në Tajvan.

 

 

Veç sanksioneve të vendosura për Pelosin dhe familjen e saj, Pekini zyrtar njoftoi edhe ndërprerje të bashkëpunimit me Uashingtonin në disa çështje, duke përfshirë ndryshimin e klimës, bisedimet ushtarake dhe përpjekjet për të luftuar krimin ndërkombëtar.

 

 

“Ky vendim vjen sepse Pelosi vizitoi Tajvanin duke shpërfilluar kundërshtinë e fortë dhe paralajmërimet serioze të Kinës. Ky ishte një provokim skandaloz”, tha ministria e Jashtme kineze në një deklaratë.

 

 

Kjo lëvizje u pasua nga një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë, e cila i konsideroi masat e Kinës si të papërgjegjshme. Ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një vizite zyrtare në Filipine, tha se ky vendim dëmton të gjithë botën, jo vetëm Shtetet e Bashkuara.

 

ANTONY BLINKEN

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT

 

“Pezullimi i bashkëpunimit për klimën nuk dënon vetëm Shtetet e Bashkuara, ndëshkon të gjithë botën, veçanërisht vendet në zhvillim. Ne nuk duhet të pengojmë bashkëpunimin për çështje që kanë interes global, për shkak të ndasive mes dy vendeve tona. Ky është një vendim i papërgjegjshëm. Ne do të mbajmë të hapura kanalet tona të komunikimit me Kinën, për të shmangur përshkallëzimin për shkak të keqkuptimit.”

 

Ndërkohë, Kina vijon stërvitjen e saj ushtarake, në ditën e tretë të saj.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re