Kina hoqi rregullin për izolimin e personave me Covid 19 dhe detyrimin për të treguar testin anti-covid në disa zona publike duke ndryshuar në këtë mënyrë rrënjësisht strategjinë e saj që mbylli miliona njerëz në shtëpi dhe ndezi protesta për dorëheqjen e Presidentit Xi Jinping. Rregullat e reja i shtohen lehtësimit të masave disa ditë më parë që nxitën shpresat se Pekini po hiqte dorë nga strategjia “zero Covid” që po shkatërron prodhimin dhe tregtinë botërore. Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se kufizimet nuk mund të hiqen plotësisht deri të paktën në mes të vitit 2023 pasi miliona të moshuar duhet të vaksinohen dhe sistemi i kujdesit shëndetësor duhet të forcohet.

 

 

Kina është vendi i fundit i madh, që ende përpiqet të zhdukë transmetimin e virusit, ndërsa shumë vende po përpiqen të bashkëjetojnë me të. Paralelisht me zbutjen e kufizimeve zyrtarët kinezë po e cilësojnë virusin si më pak kërcënues, një përpjekje kjo për t’i përgatitur edhe banorët e Kinës se do t’u duhet të jetojnë bashkë me virusin. Për herë të parë, njerëzit me simptoma të lehta lejohen të izolohen në shtëpi, njoftoi Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, në vend që të shkojnë në qendra karantine të mbipopulluara apo johigjenike. Kjo formë karantinimi shkaktoi acarim të madh te banorët e Kinës dhe ndikoi në nxitjen e protestave që shpërthyen më 25 nëntor në Shangai dhe qytete të tjera. Institucionet publike me përjashtim të shkollave, spitaleve dhe shtëpitë e kujdesit, nuk do t’u kërkojnë më vizitorëve të kenë një “kod shëndetësor” në aplikacionin e telefonave inteligjentë që gjurmon testet e virusit.

 

 

Në deklaratën e lëshuar nga autoritetet thuhej se zyrtarët lokalë duhet “të marrin masa të rrepta dhe të hollësishme për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe shëndetin e njerëzve”, por në të njëjtën kohë të “minimizojnë ndikimin e epidemisë në zhvillimin ekonomik dhe social”. Për shkak të masave kufizuese numri me raste të infektimit me Covid 19 ka qenë i ulët, por kjo do të thotë se pak njerëz kanë krijuar imunitet natyror, një faktor që mund të shtyjë planet për heqjen e plotë të kufizimeve nëse numri i rasteve rritet. Megjithatë, pas tre vjetësh të paralajmërimeve ndaj popullatës mbi rreziqet e COVID-19, zyrtarët kinezë kanë filluar të flasin për virusin si më pak kërcënues.

 

 

Qeveria njoftoi javën e kaluar një fushatë për vaksinimin e të moshuarve. Ekspertët e shëndetësisë thonë se vaksinimi i tyre duhet bërë përpara se Kina t’u japë fund kufizimeve ndaj vizitorëve që vijnë nga jashtë. Sipas tyre Partia Komuniste në pushtet duhet gjithashtu të ndërtojë sistemin spitalor të Kinës për të përballuar një rritje të mundshme të rasteve. Por së fundmi zhgënjimi publik po rritet teksa miliona njerëz u mbyllën në mënyrë të përsëritur në shtëpi për periudha të pacaktuara, ndërsa ecuria ekonomike ra.