Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi tha se vendi i tij dëshiron paqe dhe nuk e sheh luftën Rusi-Ukrainë në aspektin e interesave gjeopolitike.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Kinës thuhet se ministri Wang Yi ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.
Wang në bisedën lidhur me qëndrimin e vendit të tij për çështjen e Ukrainës tha se “Kina nuk është në kërkim të interesit gjeopolitik. Ne nuk duam të qëndrojmë në distancë të sigurt pa bërë asgjë por as edhe të ndezim situatën. Gjëja e vetme që dëshirojmë në Ukrainë është paqe”.
Duke bërë të ditur se Kina mirëpret bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, Wang theksoi se “Bisedimet e paqes duhet të vazhdojnë deri në sigurimin e armëpushimit dhe paqes së përhershme pavarësisht se sa të vështira janë negociatat dhe sa shumë të jenë dallimet”.
Ai tha se duhet të respektohet parimi i pandashmërisë së sigurisë, se arkitektura e sigurisë së balancuar, efektive dhe e qëndrueshme e Evropës duhet të krijohet përmes dialogut të bazuar në barazi dhe se Kina do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë çështje.
Ministri ukrainas, Kuleba ka falënderuar Kinën për ndihmat humanitare dhe ka vënë theksin se vendi i tij dëshiron të arrijë një zgjidhje të përhershme me Rusinë dhe të jetë një derë që hapet për Evropën.
Ministri kinez Wang në përgjigje të fjalëve të ministrit Kuleba uroi që dera që Ukraina hap të jetë hapje për paqen në Evropë, për zhvillimin e vendit dhe bashkëpunimit mes Kinës dhe Evropës.
Burimi: AA