Kina mendon se mund të përballet me pasoja të rënda nga pandemia e koronavirusit, që mund të çojnë edhe në shpërthimin e luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo deklarohet në një raport sekret që i është dorëzuar qeverisë kineze nga,Ministria e Sigurisë Shtetërore dhe është zbardhur nga agjencia e lajmeve, Reuters. Në të thuhet se ndjenjat kundër shtetit kinez mund të jenë më të lartat që prej ngjarjeve tragjike pas protestave të studentëve në vitin 1989.

Më tej shtohet, se për pasojë, vendi duhet të përgatitet për skenarin më të keq të mundshëm, që është lufta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Reuters thekson po ashtu se media kineze “South China Morning Post”, raportoi të martën se ushtria kineze është pranë përfundimit të avionit bombardues bërthamor Xian H-20, i cili kompleton forcën goditëse bërthamore të shtetit duke u rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë si superfuqi botërore që mund të lëshojë sulme bërthamore nga toka, ajri dhe deti.

Burime nga ushtria kineze thanë për “South China Morning Post” se bombarduesi mund të jetë gati brenda këtij viti, duke u prezantuar që në nëntor, në një panair të mjeteve fluturuese. Ai do të përdoret për t’i dhënë një mesazh botës se pavarësisht pandemisë së koronavirusit, Kina nuk ka mbetur prapa.