Në ditën e saj të dytë të stërvitjes ushtarake pranë Tajvanit, Kina njoftoi edhe sanksione ndaj kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.

 

Msat u bënë të ditura nga ministri i Jashtëm kinez, Uang Yi, i cili deklaroi se në to do të përfshihet edhe familja e Pelosit.

 

Sipas Pekinit zyrtar, Pelosi, me vizitën e saj në Tajvan, dëmtoi sovranitetin, integritetin territorial dhe ndërhyri në punët e brendshme të Kinës.

 

Më herët, nga Japonia, përfaqësuesja amerikane kërkoi nga Kina të mos përdorë vizitën e saj si justifikim për të ndryshuar situatën. Ajo po ashtu bëri të qartë se SHBA nuk do të lejojë Kinën të izolojë Tajvanin.

 

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken drejtoi nga Samiti i Kamboxhias thirrjen për Kinën që t’i japë fund provokimit ushtarak ndaj Tajvanit.

 

ANTONY BLINKEN

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT

 

“Veprimet e Kinës janë provokime flagrante. Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për sigurinë në Tajvan dhe nuk do të lejojnë një ndryshim të status-quos, vercanërisht me forcë. Asgjë nuk ka ndryshuar në pozicionin tonë. Uroj që Kina të mos kërkojë pretekst për të përshkallëzuar situatën.”

 

Ndërkohë, teksa ushtria kineze vazhdon stërvitjen, me shumë anije e avionë që kalojnë vijën në ngushticën e Tajvanit që ndan ishullin me Kinën, kryeministri tajvanez tha se ky është një problem serioz që cenon sigurinë dhe se stërvitja duhet të marrë fund menjëherë.

 

Në këtë kuadër, Tajvani është mobilizuar duke vendosur sisteme raketore me bazë tokësore dhe duke dërguar avionë e anije për të monitoruar situatën.

 

Qytetarët tajvanezë ndërkohë thonë se po i ndjekin zhvillimet me kujdes, por pa frikë të tepruar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re