Akademia Kineze e Shkencave njoftoi se reaktori i tyre bërthamor, i njohur si “dielli artificial,” tejkaloi pritshmëritë…
Shkencëtarët në Kinë kanë shënuar një arritje të rëndësishme në kërkimin për energji të pastër dhe të rinovueshme, pas një testi të suksesshëm energjetik. Akademia Kineze e Shkencave (CAS) njoftoi se reaktori i tyre bërthamor, i njohur si “dielli artificial,” tejkaloi pritshmëritë dhe funksionoi për 1,066 sekonda (mbi 17 minuta), dy herë më gjatë se testi i mëparshëm prej 403 sekondash. Ky është një hap i madh përpara në përpjekjet globale për të krijuar energji përmes procesit të shkrirjes bërthamore.

Procesi i shkrirjes bërthamore, që ndodh natyrshëm në Diell, ka qenë prej kohësh diçka e shenjtë për energjinë e pastër. Ky proces, që bashkon bërthamat atomike duke prodhuar sasi të mëdha energjie, ka potencialin të ofrojë një burim energjie të pakufizuar. Për më tepër, ai shmang ndotjen nga karburantet fosile dhe mbetjet e rrezikshme nga procesi i ndarjes bërthamore në centralet tradicionale.
CAS deklaroi se ky sukses është një hap kritik në kërkimet për shkrirjen bërthamore. Për të arritur këtë, reaktori i tyre, i quajtur Experimental Advanced Superconducting Tokamak (EAST), ka arritur përmirësime të rëndësishme, duke përfshirë dyfishimin e fuqisë së sistemit të ngrohjes.
Zëvendëspresidenti i Institutit të Shkencave Fizike Hefei të CAS, Song Yuntao, theksoi se për të mundësuar funksionimin e qëndrueshëm të plazmës (gjendja e katërt e materies), një pajisje shkrirjeje duhet të arrijë temperaturat mbi 100 milionë gradë Celsius dhe të sigurojë qëndrueshmëri për mijëra sekonda.

Megjithëse ky është një hap madhor, sfidat mbeten. Shkencëtarët duhet të gjejnë mënyra për të siguruar funksionim të qëndrueshëm dhe kontroll të saktë të procesit të shkrirjes për periudha më të gjata.
