Në veri të Kinës sot një autobus ka rënë në një lum, ku si pasojë së paku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 12 të tjerë llogariten si të zhdukur. Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut shkatërruan shtëpi, ndërsa janë përmbytur sasi të mëdha të sipërfaqes së truallit bujqësor.

Në videon e publikuar shihen njerëzit në çatinë e një autobusi gati të zhytur në një lumë që rrjedh mbi një urë pranë qytetit Shijiazhuang, rreth 265 kilometra në jugperëndim të Pekinit.

Autoritetet në provincën Hebei njoftuan në mediat sociale se 37 nga 51 personat në autobus u shpëtuan.

Agjencia kineze e lajmeve Xinhua raportoi të dielën se më shumë se 120.000 njerëz ishin evakuuar në provincën fqinje Shanxi në perëndim për shkak të shkatërrimit të mijëra shtëpive. Gjithashtu, dëme të mëdha iu shkaktuan 190.000 hektarë të lashtave.

Shirat e dendur në Shanxi, ndryshe një zonë e thatë, kanë dëmtuar një pjesë të një muri 25 metra në qytetin historik Pingyao, i cili është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Agjencia shtetërore e lajmeve raportoi se shiu i vazhdueshëm është kërcënim i madh për ndërtesat e lashta prej balte.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re