Skip to content

“Kini kujdes, koka ime vlen sa koka juaj!”/ Këshilltari i Vjosa Osmanit tregon si u shkarkua Vlora Hyseni në Kosovë: Qeveria shqiptare i fshehu informacione NATO-s!

I FUTMI

Ish-deputeti dhe ish-këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Kreshnik Çollaku, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe mënyrën se si ajo u emërua në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, Çollaku tha se për shkak të angazhimit të tij zyrtar në Kosovë nuk ka pasur mundësi të informohej zyrtarisht për çështje të tilla, pasi ato janë të kufizuara me ligj.

Ai deklaroi se Hyseni ishte shkarkuar në Kosovë menjëherë pas ardhjes në pushtet të mazhorancës së Albin Kurtit. Sipas tij, fakti që ajo u largua nga një pozicion në Kosovë dhe më pas u emërua në një post të rëndësishëm në Shqipëri ka ngritur pikëpyetje që, sipas tij, kërkojnë hetim.

“Motivi i shkarkimit mos ka qenë motiv për ta emëruar në Tiranë? Ky nuk është një emërim për karshillëk të Kurtit, por një detyrim që Rama e ka plotësuar ndaj atyre që donin që zonja, pasi humbi ofiqin në Kosovë, të ishte e imunizuar nga një ofiq tjetër”, u shpreh Çollaku.

Ish-këshilltari i Osmanit kërkoi një hetim të thelluar në Kosovë dhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në Shqipëri. Ai pretendoi gjithashtu se në Kosovë qarkullojnë informacione për një komunikim konfidencial mes dy qeverive lidhur me rastin.

“E pamundur që një person i shkarkuar nga pozicioni të kishte një rekomandim pozitiv që zonja të marrë shtetësinë shqiptare. Ajo që flitet në ambientin mediatik të Kosovës është që ka pasur një komunikim konfidencial mes dy qeverive”, tha ai.

Çollaku ngriti pikëpyetje edhe lidhur me certifikatën e sigurisë së Hysenit, duke pretenduar se gjatë procedurave për marrjen e saj duhet të deklarohen të dhëna të plota, ndërsa shtoi se, sipas tij, informacionet përkatëse nuk janë përcjellë në NATO.

“Informacioni është falsifikuar ose fshehur, ky informacion nuk ka shkuar në NATO dhe ky është një tjetër skandal”, deklaroi Çollaku, duke e paraqitur këtë si një çështje që duhet të sqarohet përmes hetimit.

Ish-këshilltari i Vjosa Osmanit komentoi edhe deklaratën e Vlora Hysenit një ditë më parë, teksa hynte në GJKKO, ku iu drejtua gazetares Klodiana Lala me një deklaratë që lidhej me takime të saj të pretenduara me agjentë serbë.

Çollaku e interpretoi deklaratën si një mesazh që, sipas tij, nuk i drejtohej vetëm gazetares.
“Ishte mesazh për të tjerë persona. Ishte mesazh për të thënë: ‘Koka ime vlen aq sa koka juaj. Kini kujdes!’”, u shpreh ai.