Policia e Orikumit ka bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve anglezë të cilët kishin humbur rrugën në një terren malor të fshatit Dukat.

Sipas policisë mësohet se menjëherë pas marrjes së njoftimit se 2 turistë anglezë, gjatë eksplorimit të zonës, kishin mbetur të izoluar në një terren të vështirë malor, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë.

Falë kërkimeve për disa orë, është bërë e mundur lokalizimi dhe gjetja e 2 turistëve anglezë, në vendin e quajtur “Maja e Qorres”, në fshatin Dukat. Turistët po shoqërohen për në ambientet e hotelit ku ishin akomoduar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët anglezë kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse, për reagimin e menjëhershëm, profesionalizmin e treguar dhe humanizmin e shfaqur gjatë ofrimit të ndihmës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re