2 vëllezër janë vënë në prangat e Policisë së Beratit, pasi dyshohen për 38 vjedhje që kanë ndodhur në qytet, në harkun kohor të 3 viteve.

Vëllezërit e vënë në pranga janë Fatmir dhe Artur Hyka, të cilët janë kapur në kushtet e flagrancës, teksa tentonin që të vidhnin një tjetër banesë, në pronësi të një gruaje.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vëllezërit”.  Zbardhen 38 vjedhje të ndodhura më parë në qytetin e Beratit. Arrestohen 2 autorët e dyshuar, pasi u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin në një banesë. Sekuestrohen disa nga mjetet që përdoreshin për të kryer vjedhjet.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vëllezërit”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A.H., 49 vjeç dhe F.H., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vidhnin në banesën e shtetases A. A.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet që këta shtetas të jenë autorë të 38 vjedhjeve të tjera të ndodhura në harkun kohor 2018-2021, në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që përdornin autorët për të kryer vjedhjet. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, në fushën e vjedhjes së pronës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re