Një 17-vjeçar është vënë nën hetim nga policia pasi akuzohet se kishte fshehur një kallashnikov mes shkurreve në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë.

 

Policia bën me dije se po hetohen për moskallëzim krimi edhe dy persona të tjerë, B. K., 40 vjeç dhe I. Z., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë.

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Gjergj Legisi”, një shtetas kishte fshehur armë zjarri afër banesës së tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në adresën e dhënë.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur mes shkurreve, një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

 

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin R. R., 17 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.