Policia Tropojë:
“Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në terren të mbyllur, me anë të llambave.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Valbona”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë.
Zbulohet një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një banesë në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, fidanë narkotikë, llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Shpallet në kërkim pronari i banesës.
Procedohet në gjendje të lirë elektricisti i zonës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në fshatin Valbonë, një shtetas kishte përshtatur banesën, për kultivimin e bimëve narkotike kanabis, në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Valbona”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi dhe ndërhyrja në banesën e shtetasit Sh. S., ku u evidentua se njëra prej dhomave ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave, që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente te mbyllura.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë nuk kanë gjetur njeri në banesë. Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e pronarit të banesës, shtetasit Sh. S., 43 vjeç, banues në Valbonë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Q. B., 59 vjeç, banues në Shoshan, me detyrë elektricist.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme”

/faxweb