Një 24 vjeçar shqiptar i ka shpëtuar jetën një gruaje në të 80-tat, e cila jetonte e vetme në banesën e saj pas vdekjes së të shoqit.
I identifikuar në median franceze si Roland Aliu, 24 vjeçari nga Shqipëria tregoi se po ecte në rrugë kur pikasi tymin që po dilte nga shtëpia.
“U afrova dhe dëgjova një grua të bërtiste. E kapa të moshuarën dhe e nxorra jashtë. Më tutje hyra sërish në shtëpi për të parë nëse kishte njeri tjetër. Nuk mund të shihja asgjë, kishte shumë tym… më tutje fqinjët e zonjës u afruan atje, mora në telefon zjarrfikësit më pas”-tregon i riu.
Gruaja u dërgua në spital, ndërsa i riu shqiptar largohet në mënyrë diskrete nga vendngjarja, pasi banon në Francë pa dokumenta. Me të shkuar në banesë, ai nis të ndjejë dhimbje koke e dhimbje stomaku.
“Një prej miqve të mi, më dërgoi në spital”-shton Rolandi, i cili qëndroi për pak orë nën oksigjen për shkak të thithjes së dioksidit të karbonit.
E duket se gjesti human i 24 vjeçarit ka shtyrë banorët e zonës atje, që të kërkojnë që të riut t’i jepet e drejta për të qëndruar në Francë me dokumenta të rregullta.
Shumë njerëz në këtë komunitet e njohin të riun, i cili erdhi më shumë se 5 vite më parë në Francë me prindërit e vëllain e vogël. Disa herë autoritetet ia kanë refuzuar mundësinë për një leje qëndrimi të rregullt në Francë, e duket se tashmë akti i tij heroik, do të mund ta zgjidhë këtë çështje.
