Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha është takuar këtë të premte me demokratët e degës 15 në Tiranë, ku ka bërë thirrje që opozita duhet të ringrihet dhe të sjellë ndryshimin në vend.

Basha në ‘Facebook’ shkruan se demokratët duhet të bëjnë gjithçka për “ hapjen e listave, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve dhe kufizimin e mandateve”, pasi sipas tij sistemi politik në vend është totalisht i kalbur.

Ndër të tjera ka theksuar se PD përmes bashkëpunimit do të duhet që t’i garantojë qytetarëve garën dhe integritetin për politikanët.

Postimi i plotë:

Një bashkëbisedim si përherë miqësor dhe i hapur me demokratet dhe demokratët e Degës 15 në Tiranë.

Na takon ne demokratëve të marrim përsipër barrën e përgjegjësisë për ngritjen e një alternative reformuese që garanton daljen e vendit nga kjo lëngatë dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi me çdo aktor dhe faktor të shoqërisë që pajtohet me nevojën urgjente për ndryshim.

Rrënimi moral i një pushteti të korruptuar tregon se ky sistem politik është totalisht i kalbur, nuk mund të qëndroj më në këmbë. Kthimi i pushtetit te njerëzit, përmes ndryshimeve kushtetuese që garantojnë konkurrencën, garën, integritetin e politikanëve dhe funksionarëve publik, është domosdoshmëri për pastrimin e kësaj politike dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet.

Së bashku me demokratët dhe shqiptarët duhet të bëjmë gjithçka për: hapjen e listave, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve dhe kufizimin e mandateve.

Partia Demokratike ka lindur si shpresë e shqiptarëve në ditët me të vështira të saj, edhe sot kjo forcë do të ringrihet e do të shndërrohet në shpresën e ndryshimit për Shqipërinë!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re