Ish-kryeministri Sali Berisha, ka përshëndetur sërish nga dritarja e shtëpisë, ku ai prej disa ditësh ndodhet në ‘arrest shtëpiak’, mbështetësit demokrat që ishin mbledhur poshtë banesës së tij.

Berisha u shpreh se mbështetësit e tij ia ndryshuan emrin rrugës ku ai banon, “Mustafa Matohiti”, por e njohur gjerësisht si “rruga e Salës”, për shkak të vendndodhjes së shtëpisë së ish-kreut të qeverisë.

Sipas tij tanimë kjo rrugë quhet “rruga e shpresës” dhe jo më “rruga e Salës”.

“Të rinjtë e quanin këtë Rruga e Salës. Vinin këtu e shijonin kafe dhe shërbime shumë të mira nga shërbimet këtu përreth. Ka disa ditë që kjo nuk quhet më Rruga e Salës, por rruga e Shpresës për çdo shqiptar. E shpresës sepse çdo shqiptar sheh te ne që qëndrojmë, që luftojmë, e kupton se ne jemi shpresa e vetme për ta”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të varin flamurin e PD në dritare si flamur shprese dhe fitoreje për shqiptarët.

“Liria nuk burgoset dot, po e bërë këtë, liria vetëm sa shumëfishohet. E vërteta nuk heshtet dot. Po e bëre këtë, e vërteta shumë më tepër, shumë më fort. Prandaj kjo luftë i ka shërbyer PD-në, sepse e ka shndërruar flamurin tonë në flamur të lirisë, në simbol të demokracisë, në simbol të shpresës. Ky flamur nuk mposhtet kurrë! Unë sot e kam varur këtë flamur në dritare. Ju ftoj të gjithë ju, ftoj të gjithë shqiptarët që të varin në dritare këtë flamur si flamur shprese, si flamur guximi, si flamur fitoreje për shqiptarët. Ata nuk kanë flamur, ata janë njerëz me 100 flamuj. Ata edhe ata flamuj ku i kanë i nxjerrin në vilat e tyre të fshehta të ndërtuara me para krimi dhe nuk i shfaqin. Flamuri ynë qëndron krenar për jetë të jetëve krahas flamurit kombëtar”, tha më tej ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re