I gjithë mali i Tomorrit do të jetë zonë e mbrojtur. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit. Për Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ky mal nuk do të jetë më zonë turpi.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi pasditen e së martës vendimin për zgjerimin e Parkut Kombëtar të Tomorrit, pasi gjykata rrëzoi vendimin e 2018 të qeverisë. Sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Tomorrit ishte rreth 24 mijë e 800 ha dhe u zgjerua me rreth 1.400 ha duke shkuar mbi 26 mijë ha. Pak përpara nisjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, ministri Klosi u shpreh se me vendimin e KKT i jepet fund shfrytëzimit. Ai tha se beteja vijon dhe se 10 guroret që kundërshtojnë vendimin do të kalojnë në filtër për aktivitetin e tyre.

“Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të rregullimit të Territorit, në fakt për të korrigjuar një gabim që do të thoja ka plot gjëra korruptive në të. Vendimi i Sali Berishës në 2012 kur ka shpallur zonë të mbrojtur malin e Tomorrit ka përjashtuar në mënyrë abuzive këtë zonë, e cila më pastaj u krijua si gangrenë, për të gjithë zonën e mbrojtur të malit të Tomorrit, ku na kërkohet tashmë të rikuperojmë një gabim që në qoftë se 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga specialistë apo nga politika e asaj kohe, sot do të kishim një zonë të mbrojtur, një mal me vlera të mëdha ekonomike, në qoftëse gurorët nuk do të funksionojnë.

Vendimi i 2018 u rrëzua me një vendim absurd nga gjykata që kërkoi që procedura të vinte edhe në KKT. Mali i Tomorrit duhet mbrojtur. Kjo katrahurë nuk duhet të vijojë. Mbrojtje do të ketë edhe për basenin ujor të Bogovës, që rrezikon cilësinë e ujit për Beratin dhe Skraparin. Shumë shpejt do të kalojnë në skaner guroret për aktivitetin e tyre, do të kërkojmë të kthejmë në vend padrejtësinë historike që i është bërë këtij komuniteti dhe mali” tha Klosi.

Por pse u miratua vendimi nga KKT-ja sot? Qeveria vendosi në 2018 që ta kthente në park kombëtar të gjithë Malin e Tomorrit i cili prej disa dekadash po gërmohej për të nxjerrë pllaka guri. Por Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e qeverisë për ndalimin e shkatërrimit të Malit të Tomorrit nga kompanitë që nxjerrin pllaka guri.

Gjykata e quajti të paligjshëm vendimin e qeverisë dhe kërkoi që kompanitë që shkatërruan malin e Tomorrit të rikthehen në punë duke sjellë përplasjen me policinë, ndërsa është e vendosur për të mos lejuar shkatërrimin e malit dhe vendimin sot e kaloi në Këshillin Kombëtar i Territorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re