“Klasa e mesme në vendin tonë jo vetëm që nuk është mbështetur me politika, por është sulmuar”. E këtij mendimi është Edlira Çepani, aktiviste dhe juriste, e cila gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE” sqaroi se sulmin nënkupton faktin që kjo shtresë e popullsisë paguan taksa dhe tatime edhe për atë pjesë tjetër që nuk paguan. Sipas saj çdo ligj që bëhet rëndon më shumë individin e rregullt që bën pjesë në këtë kategori. Në këto kushte paga apo një e ardhur e mirë e individit nuk mjafton për një jetesë dinjitoze.

“Unë kam njerëz të njohur që kanë patur të ardhura edhe mbi 3.000 euro në muaj dhe janë larguar nga vendi. Pse? Sepse një familje e tillë nuk krijon dot jetesën vetëm nga paga e mirë, sado e lartë qoftë ajo. Një familje mendon për arsimimin cilësorë të fëmijëve, që këtu në mos mungon është i kushtueshëm tek privati, edhe sistemi parashkollor në vendin tonë është bërë i shtrenjtë”, -tha Edlira Çepanin, aktiviste.

Sipas Çepanit shembulli më tipik, që paga nuk mjafton për një jetë cilësore është fakti se në Shqipëri nuk mund të blesh dot një shtëpi

“Të dhënat flasin se me realitetin e sotëm duhet më shumë se 20 vjet punë që të blesh një shtëpi. Në tregun tonë çmimet janë të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Çmimet janë si në Itali, ndërsa të ardhurat janë më të ulëta se çdo vend tjetër. Një klasë e mesme ka nevojë për subvencionime. Të ndihmon me lehtësi ata që duan të krijojnë familje, të blejnë një shtëpi apo të arsimojë fëmijët”, – sqaroi Çepani.

Karakteristikat tipike të një klase të mesme janë ato familje me katër persona që kanë një shtëpi, një makinë, arsimojnë fëmijët, plotësojnë nevojat për shërbim mjekësorë, kanë kursime si dhe bëjnë dy herë pushime në vit.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re