“Kultura e Shkodrës është më fortë sesa plumbat e drogës”, ishte parrulla kryesore si moto anti-krim, në një protestë qytetare organizuar nga kleri shkodran, për t’ju kundërënë ngjarjeve të rënda kriminale në qytetin verior.

“Jeta është një amanet, një dhuratë e të madhit Zot që ia ka dhuruar njeriut dhe njeriu duhet të zbatojë të gjitha detyrat dhe urdhëresat e dhëna nga i madhi Zot. Asnjëherë nuk duhet ta dhunojmë tjetrin, asnjëherë nuk duhet t’i marrim jetën tjetrit, se atë e merr vetëm i madhi Zot dhe kurrkush nuk ka të drejtë. Prandaj të ulen armët përtokë, të mos qëllojmë e të mos vrasim. Të mos lëndojmë zemrat e nënave, të mos turpërojmë baballarët e të mos shkatërrojmë vëllezërit, as Shkodrën e Shqipërinë”, tha Fejzi Zaganjori, përfaqësues i Myftinisë së Shkodrës.

 “Rroftë paqja dhe e mira e qofshim sa më të bashkuar për të bërë më të mirën. I keqi dhe e keqja të zhduken nga zemra e njeriut. Ata që janë të vendosur për të bërë të keqen do të lusim Zotin t’ua ndryshojë mendjen, sepse duke bërë të këqija, herët a vonë zbulohesh. Të zbulon Zoti, të zbulon vet shoqëria, apo policia. Por të zbulon edhe ndërgjegjja jote. Ata që bëjnë të këqija nuk mund të jetojnë me ndërgjegje të pastër, nuk mund të flejnë gjumë rehat. Atëherë themi o Zot, na ndihmo që të gjithë të kuptojmë se jeta është e bukur e duhet të jetohet me liri, me shpresë, me guxim e në bashkim”, tha Monsinjor Angelo Massafra, arkipeshkv metropolitan Shkodër-Pult.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re