Këshilli i Lartë Gjyqësor inkurajon gjyqtarët që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Në njoftimin e KLGJ-së thuhet se gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të mandatit, i garantohet e drejta për t’u caktuar në një detyrë tjetër të barabartë ose të përafërt.

Nga ana tjetër, Këshilli nënvizon se do të vijojë komunikimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, duke i propozuar ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore, që do të garantojë të gjitha aspektet e statusit të magjistratit.

“Këshilli, duke vlerësuar Gjykatën Kushtetuese si organin kryesor për garantimin e respektimit të parimeve të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, sigurimin e kushtetutshmërisë në vendimmarrje dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë, inkurajon gjyqtarët me integritet dhe cilësi të larta etiko-profesionale të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallura nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës”, thuhet në njoftim.