Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me urgjencë në rendin e ditës së mbledhjes së të hënës rastin e gjyqtares së Durrësit të deleguar në Korçë Mimoza Margjeka, e cila u vendos nën arrest pas një hetimi të prokurorisë speciale në të cilën rezultoi se bashkëshorti i saj Arben Cara, profesor i drejtësisë në Universitetin e Durrësit, mori 6 mijë euro nga familjarët e një të pandehuri.

“Në përfundim të mbledhjes, pasi u njoh me vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi pezullimin nga detyra të magjistrates {…}, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, caktuar në skemën e delegimit në Gjykatën e Apelit {…},” shkruhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucion që zgjedh të anonimizojë emrat e gjyqtarëve si masë për ruajtjen e privatësisë. [Link njoftimi]

Pesë persona u arrestuan ose u vendosën në masë sigurie arrest shtëpiak nga gjykata me kërkesë të SPAK të mëkurën e kaluar. Mimoza Margjeka, e cila është komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec për veprën penale Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Tre shtetas Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, ky i fundit avokat u arrestuan pasi, sipas hetuesve, i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh. Pas transferimit të shumës, Gjykata e Apelit të Korçës ndryshoi masën e sigurisë së Orion Balit, i cili ishte ndaluar në korrik të këtij viti duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm nga Korça për në drejtim të kufirit malazez.

Gjyqtarja Margjeka u caktua në masë sigurie arrest shtëpie.

Çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko