Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ njoftoi të martën se vendosi skualifikimin e 14 kandidatëve për në vendet vakante të Gjykatës së Lartë, pasi nuk plotësonin kriteret formale, që përfshijnë shkollimin dhe vjetërsinë në punë.
“Bazuar në shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve, Këshilli vendosi skualifikimin dhe përjashtimin nga procedura e emërimit në Gjykatën e Lartë, të kandidatëve; Sergjo Mazreku, Ndue Pjetra, Ergys Misha, Aldona Sylaj, Jordan Daci, Lindita Troja, Alma Loci, Hermina Albunesa, Agron Lamaj, Irena Nino, Vjosa Bodo Mujo, Shaqir Hasanaj, Anton Lleshaj dhe Altin Binaj”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së.
Aty sqarohet se skualifikimi i këtyre kandidaturave është kryer për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore, ose për shkak ( në një prej rasteve) të tërheqjes vullnetare nga procesi.
Sipas KLGJ-së, kandidatët gëzojnë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar. “Në përputhje me procedurën, do të vijohet me procesin e verifikimit për 8 kandidatët e mbetur në garë…”, thuhet më tej në njoftim.
KLGJ bën me dije se vazhdojnë të mbeten në garë ish kryeprokurori Theodhori Sollaku, drejtori i shkollës së Magjistraturës Sokol Sadushi, pedagogia Kestrin Katro dhe profesori i së drejtës, Ervin Pupe, ish nën-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ilir Panda, si dhe juristët Ardita Buna Alsula, Jetmira Rragami dhe Rezarta Melo (Cenaj).
Kandidatët e mbetur sipas KLGJ do i nënshtrohen verifikimit në kritere të tjera përveç atij formal “Nëse kandidatët e mbetur do të kalojnë me sukses verifikimin mbi pasurinë, figurën dhe aftësitë profesinale, ata do të ftohen në intervistë dhe do të kryhet pikëzimi sipas parashikimeve në rregullore”, thuhet në njoftim.
Disa prej kandidatëve të mbetur janë përjashtuar prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në garën për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Aktualisht në Gjykatën e Lartë ushtron detyrën vetëm një gjyqtar pasi të tjerët u shkarkuan nga procesi i vetingut ose dhanë dorëheqjen. KLGJ komandoi pak kohë më parë gjyqtarë të gjykatave të Apelit për të mundësuar shqyrtimin e disa çështjeve emergjente, kryesisht mbi ekstradimet.
Ndërkohë, KLGJ ka shpallur edhe procedurën e emërimit në Gjykatën e Lartë dhe hapjen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave, nga radhët e juristëve të spikatur edhe për një pozicion të lirë, në fushën e të drejtës civile. Sipas KLGJ-së, Kandidatëve u duhet të shprehin interesin brenda dy javëve nga dita e publikimit të këtij vendimi në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të eksperiencës profesionale, të pasurisë dhe figurës.
Gjatë kësaj mbledhje, KLGJ ka vendosur të pranojnë kërkesën e Këshillit për Emërimet në Drejtësi, KED lidhur me përjashtimin e gjyqtarëve njëkohësit anëtarë të KED, Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj, nga procedura e ndarjes së çështjeve me short në Gjykatat ku ato ushtrojnë funksionin me argumentin e volumit të punës që paraqet procesi i verifikimit e vlerësimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe për pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli ka vendosur përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Gentian Marku, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, si dhe ndërprerjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit Besmir Stroka, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe kthimin e tij në pozicionin e mëparshëm.