Emine Erdogan, gruaja e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, tha se efektet negative të ndryshimeve klimatike do të prekin kryesisht grupet e cenueshme, domethënë gratë, fëmijët, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.

Znj. Erdogan ishte një nga pjesëmarrësit në panelin “Së bashku për planetin tonë: Ngritja e zërave afrikanë në debatin për klimën” organizuar në kuadër të Samitit të 3-të të Partneritetit Turko-Afrikan, që po mbahet në Stamboll.

“Pasojat e ndryshimeve klimatike do të ndihen shumë më seriozisht në vendet në zhvillim. Në këtë drejtim, unë u bëj thirrje veçanërisht grave lidere nga të gjithë sektorët të veprojnë. Unë sinqerisht besoj se gratë do të jenë aktore aktive në tranzicionin drejt modeleve të reja ekonomike globale që do të jetë miqësore me mjedisin”, tha bashkëshortja e liderit tuk.

Ajo theksoi se beson se është shumë e rëndësishme të dëgjohet zëri që vjen nga Afrika në luftën kundër ndryshimeve klimatike, duke theksuar se ndryshimi i klimës është një nga problemet më të mëdha globale të këtij shekulli dhe se bota është në një moment historik të rëndësishëm.

“Ne nuk duhet të harrojmë se çdo hap që hedhim ose nuk i jep formë të ardhmes sonë. E ardhmja u përket fëmijëve tanë. Dhe janë fëmijët ata që preken më shumë nga ndryshimet klimatike, pasojat e të cilave ne sot i ndiejmë shumë rëndë“, tha ajo.

Znj. Erdogan paralajmëroi se rreth 240 milionë fëmijë janë të ekspozuar ndaj përmbytjeve në bregdet, 400 milionë fëmijë nga uraganet, 815 milionë fëmijë nga ndotja me plumb, 820 milionë fëmijë nga goditja e nxehtësisë, 920 milionë fëmijë nga mungesa e ujit dhe rreth një miliard fëmijë nga ndotja në rritje e ajrit.

“Lufta kundër ndryshimeve klimatike mund të jetë e suksesshme vetëm nëse bashkësia ndërkombëtare vepron së bashku në mënyrë të sinkronizuar. Me fjalë të tjera, e ardhmja e përbashkët e njerëzimit varet padiskutim nga bashkëpunimi i shteteve,” tha ajo.

Fatima Maada Bio, gruaja e Presidentit Sierra Leone, tha se efektet e ndryshimeve klimatike në Afrikë ishin dhjetë herë më të mëdha se në pjesën tjetër të botës, duke shtuar se ata e shihnin atë si një krizë mjedisore, por edhe një kërcënim që do të çonte në rënien e popullsisë.

“Afrika nuk është shkaku i këtyre emetimeve dhe ndotjes, ne jemi ata që i vuajmë pasojat e tyre. Dikush tjetër po e shkakton dhe ne jemi të prekur nga pasojat negative,” tha Bio. /tesheshi.com/

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re