NIKOLETA KOVAÇI/ Kur kanë kanë kaluar tre javë nga ekzekutimi që tronditi vendin, Prokuroria e Lezhës vijon të nxjerrë të dhëna që Ardian Nikulaj u vra për gjakmarrje! Kjo prokurori adreson sërish ngjarjen në drejtim të të mbijetuarve të familjes Leksatakaj të cilët jetojnë e punojnë në Angli prej shumë vitesh.

Në kohën kur çështja e hetimit të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj është zhvendosur në Angli, kur Gjykata britanike refuzon arrestimin e njërit prej personave kyç të akuzës sonë, kur portugezi i akuzuar si autor i vrasjes nuk dihet se ku ndodhet, kur njëra nga të akuzuarat si bashkëpunëtore lihet e lirë, po në Angli dhe kur në vendin tonë mbërritën prokurorë britanikë për të parë nga afër faktet dhe provat e krimit, zbulimi për opinion publik të vrasjes për gjakmarrje ka bërë që hetimet të shihen me dyshim.

Edhe pse Prokuroria dhe Policia e Lezhës kurrë nuk hetuan për dy vrasje të njëpasnjëshme në familjen Lekstakaj, me tre të vrarë e një të plagosur, kur asnjëherë nuk patën një person të hetuar për dy vrasjet në këtë familje, dalin me motivin e gjakmarrjes por pa shpjeguar se cila ka qenë historia e kësaj gjakmarrjeje për sa kohë e pohon edhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Rreth 8 vjet më parë, familja Lekstakaj nga Anglia nisi një betejë korespondencash me krerët më të lartë të shtetit, që nga Kryeministri, prokuroria i Përgjithshëm, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Avokati i Popullit dhe një sërë instancash të tjera.

Aso kohe, ata kërkonin të rihapej çështja e vrasjes së njerëzve të tyre, të merrej dëshmia e Klodian e Lenë Lekstakaj, të dy dëshmitarë okular në të dy ngjarjet ku u vranë njerëzit e tyre. në shtypin e kohës, në vitin 2016 u botuan reagimet institucionale të Prokurorisë së Lezhës, asaj të Përgjithshmes dhe të policisë së Shtetit, ndërkohë kërkesa e tyre për të dëshmuar delegohej në rend hierarkik derisa humbiste nëpër sirtarët e policisë dhe prokurorisë së Lezhës.

Klodiani nga Anglia kërkoi t`i mbrohej jeta që të vinte e të ridëshmonte për vrasësit e familjes së tij. Ai kërkoi, aso kohe vetëm dy akte; të shihte njëherë të vetme dëshminë e tij të dhënë pas ngjarjes ku u vranë Gëzim Lekstakaj, xhaxhai i tij dhe, Lauren Gjetja, djali i hallës së tij, si dhe të ridëshmonte gjithçka dinte për atë moment tmerri kur iu vranë dy njerëz para syve! Por, nuk iu dha statusi i dëshmitarit.

Panorama sjell përgjigjet e dy prokurorive dhe të Policisë që iu kanë kthyer autoriteteve britanike për mosplotësimin e kushteve për status dëshmitari si dhe puna që po bëhej në vitin 2016 për zbardhjen e vrasjeve pa autor të ndodhura në shtator 1997 dhe mars 1999 në Balldre të Lezhës.

KORRIK 2016

Me 26 maj të vitit 2016 në adresë të Klodian Lekstakës është nisur një përgjigje nga ana e Prokurorisë së Lezhës. Në të thuhet se ky shtetas nuk mund ta përfitojë mbrojtjen e posaçme por nëse vjen në Shqipëri për të dëshmuar në mënyrë vullnetare dhe nëse atij i rrezikohet jeta nga vrasësit e familjes së tij, atëherë ngarkohet Drejtori i Policisë së Shtetit me detyrën kushtetuese për t`i mbrojtur jetën. Madje, në dokumentin zyrtar vërehej se kryeprokurori i Lezhës saktësonte se ka biseduar me Policinë e Lezhës pikërisht për faktin se nëse dëshmitari okular i dy vrasjeve vjen të dëshmojë në Lezhë atëherë do të jetë pikërisht kjo polici që do ta mbrojë atë. Por ai fillimisht duhet të vijë. Duhet të vijë se, sipas prokurorit, edhe pse është dëshmitar okular, sipas pretendimeve të tij në fakt atij nuk i rrezikohet jeta. Në materialin shkresor, material që i është vënë në dispozicion personit që kërkon mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe një sërë organesh kompetente, ka një sërë gabimesh, gabime që në fakt edhe mund të devijonin dhe devijojnë jo pak vërtetësinë e dëshmive mbi aktet e vrasjeve në familjen Lekstakaj.

Prokurori, që ishte aso kohe në krye të akuzës së Lezhës dhe që ishte ngarkuar për të riparë nga fillimi këtë çështje, ka bërë me dije zyrtarisht se hetimet janë mbyllur pasi nuk janë gjetur gjëkundi autorët. Madje ky prokuror, në shkresën zyrtare, bënte me dije se në dëshminë që ka dhënë Klodiani, kur ishte vetëm 13 vjeç, dhe ka qenë në arë me xhaxhanë e tij, Gëzimin, dhe nipin e shtëpisë, Laurenin, iu kanë masakruar nga dy personat e fisit me të cilin ishin në konflikt, nuk ka përmendur asnjë emër. Madje në shkresë thuhet: U pyet edhe në lidhje me drejtimin që morën autorët, por nuk e mbante mend! Kështu Klodiani 7 vjet më parë kërkon nga prokuroria pikërisht njohjen me atë material shkresor ku ai ka dhënë dëshminë e tij në kohën kur u vranë dajë e nip dhe ai u largua me vrap nga ara, duke i kërkuar besë për jetën një burri të zonës!

PËRGJIGJA E KRYEPROKURORIT TË LEZHËS

“U njohëm me kërkesën tuaj drejtuar Prokurori të Përgjithshëm nëpërmjet së cilës kërkoni marrjen e masave të posaçme të mbrojtjes ndaj jush dhe shtetasve Pjetër e Lena Lekstakaj si dëshmitar të ngjarjes së datës 28.09.1997 ku janë vrarë xhaxhai juaj, Gëzim Lekstakaj, dhe djali i hallës, Lauren Gjetja, dhe ngjarjes së datës 30.03.1999, ku është vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj, xhaxhai i juaj dhe është plagosur babai i juaj, Pjetër Lekstakaj (këtu gabon kryeprokurori; Klodiani është djali i Gjovalinit dhe nipi i Pjetrit)!

Në vlerësim të kësaj kërkesë ju sqarojmë se: Në bazë të ligjit nr. 10173, datë 22.10.2009 “për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, organi i prokurorisë investohet për marrjen e masave mbrojtëse dhe futjen në programin e mbrojtjes të personave që ndjehen të kërcënuar, vetëm për rastet kur plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në këtë ligj. Ligji i sipërpërmendur rregullon marrjen në mbrojtje të personave që janë dëshmitarë apo bashkëpunëtor të drejtësisë në një procedim penal të filluar nga prokuroria për vepra penale për të cilat neni përkatës i Kodit Penal parashikon dënim me burgim në minimum jo më pak se katër vjet. Në bazë të ligjit të sipërcituar që një dëshmitar të futet në programin e mbrojtjes ndër të tjera duhet të plotësohen disa kushte:

1-Dëshmitari duhet të pranojë më vullnet të lirë të bashkëpunojë me prokurorinë dhe Gjykatën.
2-Të dhënat që dëshmitari jep në dëshminë e tij pa kushte dhe rezerva të përbëjnë provë vendimtare për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e krimeve dhe të autorësisë së tyre.
3-Dëshmitari për shkak të dëshmisë së dhënë ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz për jetën.

RASTI KONKRET

Në rastin konkret nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, pasi në hetimin e procedimit penal nr. 150 të vitit 1997 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, dhe që ka të bëjë me vrasjen e shtetasve Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja ku ju jeni pyetur si person që tregon rrethana të hetimit, në deklaratën tuaj nuk keni dhënë ndonjë të dhënë që përbën provë vendimtare për zbulimin dhe dënimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, në kuptim të ligjit të sipërpërmendur. Në mungesë të kushteve të parashikuara në ligj, nuk mund të propozojmë pranimin Tuaj në programin e mbrojtjes.

Në qoftë se dispononi të dhëna apo prova të reja që hedhin dritë dhe shërbejnë për të provuar akuzat ndaj autorëve të vrasjes së të afërmve tuaj, Gëzim Lekstakaj, Lauren Gjetja, Gjovalin Lekstakaj dhe plagosjes së babait tuaj, Pjetër Lekstakaj, (prokurori e vijon gabimin me atësinë) mund t`i paraqisni ato në çdo kohë pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë dhe pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës, me drejtuesit e së cilës është biseduar nga ana jonë për të marrë të gjitha masat për sigurinë tuaj në rast se do ktheheni në Shqipëri për të dhënë dëshminë tuaj!

“Drejtori i Policisë së Shtetit ka për detyrë kushtetuese të të mbrojë”!

Gjithashtu, në kushtet kur ndaj jush nuk mund të aplikohen masat e posaçme të mbrojtjes të parashikuara nga Ligji ‘Për mbrojtjen ë dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” në vlerësim të shqetësimit të paraqitur prej jush, ju sugjerojmë t`i drejtoheni Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Policisë së Lezhës duke kërkuar mbrojtje prej tyre që në zbatim të detyrave kushtetuese për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe në përputhje me detyrimet që parashikon ligji, “Për Policinë e Shtetit” të marrin të gjitha masat për mbrojtjen e jetës suaj dhe të pjesëtarëve të familjes suaj. Drejtuesi i Prokurorisë Zefir Hoda” Kështu mbyllet një prej përgjigjeve zyrtare institucionale që është nisur në drejtim të shtetit britanik ku banojnë edhe djemtë e mbijetuar të familjes Lekstakaj.

Prokurori i Lezhës vijon të argumentojë në bazë të ligjit se djali që ka dëshmuar dhe që thotë se i ka thënë edhe atëherë emrat e vrasësve të familjes së tij, nuk mund të përfitojë statusin e mbrojtjes pikërisht për shkak se vrasjet e familjarëve të tyre janë pa autor dhe se Klodiani kur ka dëshmuar atëherë nuk ka dhënë asnjë detaj të rëndësishëm për hetimin. Megjithatë, djali nga Anglia, pasi ka marrë këtë përgjigje i është drejtuar sërish Policisë së Shtetit Shqiptar për t`i garantuar jetën që ai të vijë dhe të rrëfejë me emra se kush janë vrasësit dhe përndjekësit e familjes së tij, pasi djali pretendon se ata janë në poste të larta drejtuese lokale. Megjithatë pavarësisht reagimeve të shumta të institucioneve, Prokuroria në atë kohë ende nuk kishte vendosur të rihapte çështjen.

POLICIA VAZHDON PUNËN PËR DOKUMENTIMIN E NGJARJES!

Në një tjetër material që daton 24 qershorin e 2016-ës thuhet: “Në përgjigje të letrës suaj, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme në të cilën shprehni shqetësimin që ju keni, ju bëjmë me dije se Drejtoria e Policisë së Shtetit në përgjigjen me nr. protokolli K 37/2, datë 08.6, 2016 sqaron si më poshtë; Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 29.9.1997 në vendin e quajtur Balldre, Lezhë, ku janë vrarë me armë zjarri shtetasit G. Lekstakaj dhe L. Gjetja, prokuroria e Lezhës ka regjistruar procedimin penal të vitit 1997 i cili është pezulluar për zbulim autori. Shtetasi K. Lekastakaj (Klodian) është pyetur në cilësinë e personit dëshmitar mbi karakteristikat e personave autorë si dhe drejtimin e lëvizjes së tyre por nuk ka mundur t`i identifikojë autorët.

Për sa i përket ngjarjes së 30.03.1997, (1999, gabon hartuesi i përgjigjes me dy vite) ku ka ngelur i vrarë shtetasi Gj. Lekstakaj dhe është plagosur P. Lekstakaj janë kryer të gjitha veprimet nga ana e Prokurorisë dhe çështja është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Strukturat e hetimit për Krime të Rënda në Policinë e Lezhës vazhdojnë punën për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Në lidhje me sa pretendohet ngjarja juaj për të cilën ju i jeni drejtuar të gjitha organeve qendrore shtetërore dhe institucionit të Avokatit të Popullit, nga ana jonë me shkresën nr. K2E25-2 prot, datë 9.9.2015, i kemi kthyer përgjigje me shkrim z. Elton Lekstakaj në shtetin e Britanisë së Madhe. Ju njoftojmë gjithashtu se me shkresën tonë me nr. K2E25-2 prot, datë 15.4.2016, nga ana jonë i kemi kërkuar shpjegime me shkrim Drejtuesit të Prokuorisë Rrethit Gjyqësor, Lezhë, na ka ardhur përgjigje, fotokopjen e së cilës ne po jua dërgojmë juve për dijeni.

Po kështu rezulton se në lidhje me këto ngjarje të rënda kriminale kanë filluar procedimet penale me nr. 150 datë 07.101997 dhe me datën 12.6.1999 nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, është vendosur pezullimi i hetimeve dhe dosja penale në fjalë i ka kaluar për veprime ligjore Komisariatit të Policisë Lezhë. Në lidhje me ngjarjen tjetër datë 30.3.1999 nga ana e Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka filluar procedimi penal nr. 48 datë 31.3.1999 dhe me vendim penal nr. 31 datë 29.09.2000 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Lezhë, është gjykuar e dënuar në mungesë me 10 vjet burgim i pandehuri Pjetër Lekstakaj. Bashkangjitur ju dërgohet fotokopje e kthimit të përgjigjes me shkresën me Nr.4325/1 prot, datë 20.05.2016, e organit të Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Lezhë, për tu mbajtur parasysh nga ana juaj”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re