Tre muaj pas vrasjes së Klodian Rashës në Rrugën ‘Dritan Hoxha’, Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar akuzën efektivit Nevaldo Hajdaraj.
Akuza e re sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës është ajo e ‘vrasjes me dashje’. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se Rasha ishte i paarmatosur dhe se arma e gjetur 200 m larg vendngjarjes është një model pistolete turke sportive e përshtatshme edhe per armë zjarri nuk ishte e viktimës.
Pas ekspertizës rezulton se arma nuk ishte e Rashës pasi nuk ka asnjë gjurmë të tij si papilare ashtu edhe ADN-je.
Policit të arrestuar për këtë ngjarje Nevaldo Hajdaraj, i është komunikuar akuza një ditë më parë në ambientet e paraburgimit. Fillimisht ai u arrestua me akuzën e ‘vrasjes në kapërcimin e kufijve të mbrojtjes së nevojshme’.
Hetimet zbuluan se vrasja ishte kryer me dashje dhe se mund të evitohej nga efektivi. Brenda pak ditëve dosja do te përfundojë në Gjykatën e Tiranës për ta gjykuar e dënuar Nevaldon për ‘vrasje me dashje’.
/faxweb
