Një predhë luftarake e pa shpërthyer është zbuluar këtë të dielë në qytetin e Klosit. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit teksa disa punëtorë po gërmonin për hapjen e një themeli për ndërtimin e një muri pranë një banese.

 

Predha luftarake është konstatuar pasi është zbuluar nga dheu dhe nga verifimimet paraprake dyshohet të jetë e pa shpërthyer pasi ka ende djegoren në të. Menjëherë është lajmëruar policia e cila ka rrethuar zonën në mënyrë që të mos preket predha nga askush.

 

Po ashtu, mësohet se është njoftuar Ministria e Mbrojtjes e cila pritet të dërgojë grupin e xhenios që të bëjë të mundur zhvendosjen e predhës luftarake, ndërsa do të kontrollohet vendi nëse ka predha të tjera.

 

Dyshimet e para janë që predha të jetë aty që prej vitit 1997, kur një nga tunelet që mbante armatime luftarake në vendin e quajtur “Ish pazari i vjetër”, shpërtheu.

 

Gjatë shpërthimit të municionit luftarak në atë kohë shumë predha u zhvendosën në zonën përreth, që përfshin edhe qytetin e Klosit pasi ka një distancë të afërt me të.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re