“Me ligjin e ri të pyjeve, Bashkitë janë pronarë legalë të tyre”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Në një takim me krerët e bashkive të Prefekturës, Berat ku u diskutua mbi ligjin e ri të pyjeve, Klosi tha se, “ligji i ri i pyjeve, miratuar së fundmi i ndan pyjet në kombëtar, të cilët janë në Zonat e Mbrojtura dhe administrohen nga AKZM dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa zonat e tjera pyjore jashtë Zonave të Mbrojtura do të administrohen nga Bashkitë dhe njësitë vendore të saj.

“Kjo do të thotë që nga pyjet, të cilat janë në proces regjistrimi kadastral, pasi t’i kalojnë si pasuri pushtetit vendor dhe komunitetit të vilen dhe të ardhura dytësore prej tyre”, tha ai.

“Tashmë me ligjin e ri Bashkitë jo vetëm janë pronarë legalë të pyjeve, por janë dhe përfitues të drejtëpërdrejtë të të ardhurave që mblidhen nga ky aktivitetet, por fatkeqësisht vazhdojmë ti pranojmë pyjet shqiptare si I vetmi burim dhe e vetmja e mirë që na vjen prej tyre janë drutë e zjarrit”, shtoi Klosi.

“Ndërkohë, që në shekullin që jetojmë në 10 vjeçarin 2020/2030, ne duam ta shpallim si një 10 vjeçar që shkon shumë më shumë  drejt një ekonomie të gjelbër në vendin tonë. Pyjet nuk duhet të jenë një hambar i madh i druve të zjarrit, drutë duhet të jenë një pasuri kombëtare”, tha ministri Klosi.

“Ne po zhvillojmë një turizëm i cili bazën e ka tek turizmi i natyrës. Kjo do të thotë që kjo pasuri e madhe kombëtare duhet të shfrytëzohet nga komuniteti, apo bizneset në përputhje me ligjet e natyrës, duke e mbrojtur atë”, theksoi ai.

“Pylli është një pasuri e madhe për të prodhuar para, për të prodhuar punësim, për të prodhuar ekonomi”, theksoi Klosi duke rreshtuar disa arsye në favor të pushtetit vendor që do të marrë në administrim këto pyje, si fushata “Clean and Green 2020”, që arriti të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë.

“Vënia para përgjegjësisë të bizneseve, për të zhdëmtuar dëmin mjedisor, duke bërë pyllëzime, moratoriumi i pyjeve ka dhënë efektet e veta pozitive, pasi nuk ka më prerje të pyjeve masive siç ka ndodhur vite më parë në pyje, duke i lënë kohë rigjenerimit të tij, si dhe krijimi i një tregu të mirë të bimëve medicinale, mbrojtja dhe studimi i bimëve endemike, të rralla në vendin tonë, etj”, tha Klosi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re