Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar auditimin sa i përket situatës së pandemisë në vendin tonë. Sipas këtij raporti Covid-19 mund të ishte menaxhuar shumë më mirë dhe se Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndjekur politikat e duhura. Gjatë këtij inspektimi ka rezultuar një mungesë e theksuar e stafit mjekësor së bashku me mungesën e materialeve mbrojtëse, teksa janë hedhur akuza edhe për shkelje të rënda të cilat sipas raportit shkojnë deri në pikën sa kanë falsifikuar vërtetësinë e tamponëve të përdorur për të gjurmuar personat e prekur me Covid-19.

A ka qenë efektiv funksionaliteti i laboratorëve publik dhe jopublik?

Laboratorët e shëndetit publik ushtrojnë veprimtari në mbështetje të funksioneve bazë të shëndetit publik dhe janë laboratorë mikrobiologjikë dhe laboratorë biokimikë. Laboratorët e shëndetit publik janë të vendosur në strukturat rajonale të shëndetit publik dhe në Institutin e Shëndetit Publik.

Laboratorët e ISHP, kryejnë vlerësimin e laboratorëve të shëndetit publik, udhëzojnë dhe monitorojnë përdorimin e sistemit të brendshëm të menaxhimit të cilësisë në çdo laborator të shëndetit publik, të vendosur në strukturat rajonale të shëndetit publik, sipas rregullores përkatëse, e cila është e miratuar me Urdhrin Nr. 49 datë 11.02.2011 të Ministrit të Shëndetësisë “Për miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e laboratorëve mjekësorë”.

Laboratorët e shëndetit publik, të vendosur në Institutin e Shëndetit Publik, janë laboratorë reference, për një ose më shumë analiza. Laboratorët e referencës në ISHP akreditohen nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe/ose nga një institucion i përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Laboratorët e referencës pranë ISHP ofrojnë mbështetje për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe metodat e analizave.

Laboratorët e mikrobiologjisë, pranë Institutit të Shëndetit Publik dhe strukturave vendore të shëndetit publik, janë pjesë e survejancës së integruar epidemiologjike të sëmundjeve infektive dhe Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Epidemike. Organizimi dhe funksionimi i laboratorëve të mikrobiologjisë të shëndetit publik kryhet sipas protokolleve të përcaktuara nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Epidemike, të miratuara, me Urdhrin Nr. 81, datë 10.02.2020 “Për miratimin e protokolleve dhe algoritmeve për parandalimin e sëmundjes COVID-19 në vend”.

Nisur nga këto qëndrime si dhe për shkak të cilësisë së dobët të “perceptuar” që ofrohej në to, qytetarët i anashkaluan shpesh shërbimet e shëndetit parësor dhe dytësor të referencës. Kjo i detyroi njerëzit t’i plotësojnë nevojat e tyre të nivelit të lartë për shërbime shëndetësore në poliklinikat, laboratorët dhe spitalet private. Kjo jo vetëm solli ulje të efikasitetit të sistemit shëndetësor por rëndoi në “kurriz” të buxheteve familjare. Për të shkuar më tej, ofrimi nga privati i kujdesit parësor dhe ambulator është i përhapur dhe përfshin shërbimet private që ofrohen nga ofrues publikë të praktikës së dyfishtë. Në intervistat e zhvilluara, qytetarët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me efikasitetin e mbrojtjes mjekësore (medikamenteve) dhe financiare që u ofrua nga sistemi aktual.
Shqipëria sot përballet me sfida të mëdha përsa i takon sistemit shëndetësor.

Sfida kryesore është ajo e mbulesës së kujdesit shëndetësor universal në shëndetësi e cila ka disa dimensione: përqindjen e popullsisë që mbulohet nga sigurimet, përqindjen e kostove që mbulohen dhe numrin e shërbimeve të mbuluara, etj. Referuar standardeve evropiane, në transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor, ekziston nevoja që, politikat shtetërore të realizojnë parimet e një të mire publike në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve, për një integrim dhe koordinim më të mirë me programet e mbrojtjes sociale, sigurisë në vendin e punës, mbrojtjes së mjedisit, politikat për sportet, planifikimit territorial dhe rregulloret e politikave, etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re