Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon nga Bashkia e Tiranës të tërhiqet nga vendimi për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar. Në përfundim të hetimit të inicuar 5 ditë më parë, pas kërkesës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar procedurat e ndjekura nga Bashkia e Tiranës për procesin e tenderimit të Teatrit Kombëtar. Në një shkresë drejtuar bashkisë, dhe për dijeni disa institucioneve, KLSH kërkon pezullimin e vendimit që i hap rrugë shembjes së godinës. KLSH kërkon që të shprehet gjykata Kushtetuese e më pas të merret vendimi për shembjen ose jo të godinës. Në vendimin që mban datën 14 maj, kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, apelon që thirrja e KLSh të merret parasysh, për të evituar kështu çdo dëm të mundshëm financiar.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e presidentit të Republikës për të shfuqizuar ligjin special që i hap rrugë shembjes së Teatrit kombëtar dhe ndërtimit të kullave në pronën publike dhe mbi këtë bazë u ka kërkuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës të japin argumetet mbi hartimin dhe miratimin e këtij ligji special.
KLSH përpiqet që të ruajë dhe të parandalojë kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak të Tiranës nga veprimet dhe vendimmarrjet e pabazuara ligjërisht dhe mungesës së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që mund të sjellë pasoja të rënda financiare dhe sociale.
Për sa më lart, Kontrolli i Lartë i Shtetit, bazuar në Ligjin nr.154/2014 dhe Standardet Profesionale të Auditimit, për të vlerësuar rregullshmërinë e këtij procesi dhe shqyrtimin e vendim-marrjes mbi respektimin e dispozitave ligjore dhe nëligjore në fuqi nga titullarët dhe organet e zgjedhura apo të emëruara, do të rishikojë planin vjetor, të auditimeve për të fshirë kryerjen e këtij auditimi me përfundimin e disa angazhimeve audituese të ndërmarra kohët e fundit në Bashkinë e Tiranës.
Pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve dhe institucioneve që do të burojnë nga vendim-marrjet e padrejta, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese të shprehet se do t’i konsiderojë të kundërligjshme dhe të gabuara, do të trajtohen nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dëm me pasoja të rënda për interesat ekonomike të shtetit dhe do të kërkohet dëmshpërblimi përkatës.