Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka konstatuar diskriminim të rëndë, të shumëfishtë dhe ndërsektorial nga Spitali Rajonal Durrës, pas trajtimit të një pacienti, i cili pas daljes nga spitali u la në një hapësirë publike, pa iu siguruar strehim dhe pa iu garantuar vijimësia e kujdesit shëndetësor.
Sipas vendimit nr. 298, datë 10 nëntor 2026, hetimi i nisur kryesisht nga KMD, pas raportimeve në media, evidentoi se pacientit nuk iu sigurua një vend i përshtatshëm ku të qëndronte pas daljes nga spitali. Gjithashtu, gjatë komunikimeve publike të institucionit u zbuluan të dhëna konfidenciale lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
KMD konstatoi diskriminim edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për shkak të mungesës së aksesit në shërbimet e kujdesit shoqëror. Sipas Komisionerit, mungesa e shërbimeve të përshtatshme e la pacientin pa një mundësi strehimi dhe mbështetjeje pas daljes nga spitali.
Masat që duhet të marrin institucionet
Në vendimin e tij, KMD i ka lënë detyra konkrete Spitalit Rajonal Durrës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Brenda tre muajve, Spitali Rajonal Durrës duhet të rishikojë procedurat për daljen nga spitali të pacientëve që nuk kanë strehim, nuk kanë mbështetje familjare apo nuk janë në gjendje të kujdesen për veten. Dalja duhet të kryhet vetëm pas një vlerësimi klinik dhe social, në bashkëpunim me shërbimet sociale dhe pasi të jetë siguruar një vend i përshtatshëm për qëndrimin e pacientit.
Spitali duhet gjithashtu të garantojë mbrojtjen e të dhënave konfidenciale shëndetësore dhe të trajnojë personelin për parandalimin e diskriminimit.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, brenda gjashtë muajve, duhet të marrë masa për miratimin e një protokolli që përcakton bashkëpunimin ndërinstitucional për referimin dhe daljen e sigurt të pacientëve nga spitali.
Një tjetër detyrim i Ministrisë është marrja e masave për sigurimin e shërbimeve publike rezidenciale, emergjente dhe rehabilituese për personat me varësi nga drogat.
Rekomandime për të gjitha spitalet publike
Për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme, KMD ka rekomanduar që standardi i daljes së sigurt të shtrihet në të gjitha spitalet publike. Gjithashtu, u janë drejtuar rekomandime të posaçme institucioneve përgjegjëse për kujdesin shëndetësor, shërbimet sociale dhe reagimin në raste urgjente.
Institucionet përgjegjëse duhet të informojnë KMD-në për masat e marra ose të planifikuara brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për vendimin.
