Skip to content

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” konteston në KQZ rezultatin për bashkitë Belsh dhe Rrogozhinë: Rezultati u përmbys nga vota e të burgosurve, vini në dispozicion pamjet filmike





Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi nisi të enjten procesin e certifikimit të rezultateve për zgjedhjet vendore të 14 majit, duke miratuar tabelat përmbledhëse për kryetarët dhe këshillat bashkiakë për bashkitë Rrogozhinë dhe Belsh.

celibashi

Koalicioni opozitar, “Bashkë Fitojmë” kontestoi pranë KQZ-së rezultatet për të dyja këto bashki ku fitorja e kandidatëve të Partisë Socialiste ka qenë e ngushtë.

Celibashi shpalli kryetar të ri të bashkisë Rrogozhinë Edison Memollën, bazuar mbi tabelat e çdo Qendre Numërimi, pasi KZAZ-ja nr.43 nuk kishte depozituar një tabelë përmbledhëse të rezultatit.

“KZAZ nuk e ka depozituar tabelën përmbledhëse, por kjo tabelë është plotësuar nga KQZ duke pasqyruar rezultatin e çdo kutie mbështetur në tabelat e çdo qendre votimi,” raportoi në mbledhje sekretari i përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merja.

Vendimi u kontestua nga Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i “Bashkë Fitojmë” në KQZ, i cili kërkoi që të vihen në dispozicion pamjet filmike të tavolina të numërimit dhe vendimeve të marra nga komisionerët për lejimin e votimit të zgjedhësve.

“Kjo lidhet me votimin e të burgosurve,” theksoi ai, duke iu referuar përmbysjes së rezultatit në favor të kandidatit socialist të Rrogozhinës nga votat e qendrës së votimit, ku votuan të burgosurit.

Diferenca mes Memollës dhe kandidatit opozitar, Shkëlqim Hoxha është vetëm 30 vota.

Edhe për bashkinë Belsh u shpall fitues kandidati socialist, Arif Tafani, i cili fitoi me një diferencë 130 vota plus kundrejt kandidatit opozitar Bedri Qypi.

Opozita njoftoi se se do ta kontestonte edhe rezultatin e Belshit.

“Kemi një shkresë së KZAZ që nga 7 anëtarë 4 kanë votuar kundër tabelës përmbledhëse dhe e kanë cilësuar mendim pakice, kur ndërkohë janë shumicë,” tha ai, duke shtuar se këta anëtarë kanë pasur arsye ligjore që nuk e kanë firmosur tabelën.

“Ne do të ndjekim hapat e tjerë, do e kundërshtojmë në instanca të tjera tabelën përmbledhëse për të dy rastet,” njoftoi përfaqësuesi i Bashkë Fitojmë në KQZ./BIRN

“”