Petro Koçi, i dyti në listën e kandidatëve për deputetë të PS në Fier, në një intervistë për Report Tv tha se socialistët kërkojnë një mandat të tretë për të çuar përpara punët e nisura.

Ndërkohë që premtimet e kundërshtarëve për Koçin janë premtime piramidale më të rrezikshme se ato të Sudes. Koçi tha se përballë alternativës së PS, është çifti Meta dhe Berisha, të cilët i cilësoi si rrezik për shtetin.

Pyetje: Ju keni 8 vite në pushtet, cila është arsyeja që kërkoni një mandat të tretë?

Petro Koçi: PS meriton një mandat të tretë. Qeveria Rama ka përballuar me sukses objektivat që ka marrë përsipër por është shquar për përballimin e sfidave që ka sjellë natyra siç ishte sfida e tërmetit dhe më pas pandemia. Qeveria Rama ka treguar se ka shpirtin e punës, e vendosur për të ecur përpara me reforma të rëndësishme, ku veçojmë reformën në drejtësi, një reformë e cila në procesin e vetting-ut nxori jashtë sistemit dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të korruptuar.

Nga ana tjetër përballë nesh është një çift individësh Berisha-Meta që mbartin në kurriz përgjegjësi të mëdha për shkak të ngjarjeve kriminale që kanë pasur për autor PD dhe LSI që kurorëzuan një martese politike me krimet e 21 Janarit dhe një sërë veprimesh kundër shtetit dhe institucioneve. Meta dhe Berisha janë rrezik për shtetin, për kushtetutën dhe vetëm PS është garanci për stabilitetin shoqëror dhe integrimin e vendit.

Basha ka premtuar se do hamë me garuzhde të florinjtë, skena e premtimeve të tij është piramidale më e rrezikshme se e Sudes dhe duhet bërë kujdes me politikanë të tillë se e çojnë vendin si në ’97.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re