Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, bën thirrje për lehtësimin e kufizimeve për të shpëtuar ekonominë shqiptare në kohën pandemisë së koronavirusit.

Mesazh i plotë

T’i kthehemi punës, duke respektuar rregullat!

Europa po rikthehet në punë. Fabrikat dhe kantieret prodhuese po hapen në Spanjë, Itali, Austri, Danimarkë etj.

“Zgjidhja” i ka mbështetur masat e ashpra të izolimit si mënyra e vetme për t’u përballur me pandeminë në një Shqipëri të vjedhur e me një sistem shëndetësor tërësisht të dobët e të braktisur në vite. Mbyllja e papreçedentë kompenson mungesën e kapaciteteve të sistemit shëndetësor.

‘Zgjidhja’ ka insistuar çdo ditë që njerëzit të lejohen të vazhdojnë punën dhe bizneset të rikthehen në aktivitetin prodhues me qëllim që ekonomia të mbajë frymën gjallë.

Rikthimi në punë është e vetmja rrugë që të mos falimentojmë e shkatërrohemi deri në fund si ekonomi dhe si shtet.

Qeveria e mbylli, por nuk i dha asnjë ndihmë ekonomisë. Paketa e kafshatës u dha bukë për pak ditë disa mijëra familjeve. Kreditë që qeveria i sugjeron për të paguar punëtorët janë një gur më shumë në qafën e sipërmarrjeve që kanë ndërprerë prodhimin dhe po e gjejnë zgjidhjen te shkurtimi i vendeve të punës.
Shqipëria duhet të rikthehet në punë, për të mbijetuar. Ekonomia është në emergjencë. Qeveria po blen kohën për të mos marrë asnjë përgjegjësi. Pasojat e kësaj politike do të jenë shumë të mëdha. Vetëm hapja e kontrolluar e ekonomisë mund t’i zvogëlojë këto pasoja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re