Në një intervistë në emisionin “Log.” në News24, avokati Florian Bunjaku shprehu shqetësimin e tij për përmbajtjen dhe mënyrën e shpejtë të implementimit të Kodit të Ri Penal.
Ai theksoi se kodi përfshin plot 943 vepra penale, duke përfshirë edhe raste që më parë nuk konsideroheshin të dënueshme, çka sipas tij mund të rëndojë mbi sistemin gjyqësor dhe të sjellë paqartësi në ligje.
“Ne po nxitojmë dhe kjo mund të sjellë pasoja,” paralajmëroi ai, duke kërkuar një reflektim të thellë dhe rishikim të këtij kodi.
Florian Bonjaku: Janë shtuar shumë vepra penale, kjo nuk është diçka e mirë. Kur hartohet një ligj, duhet të njihet tradita popullore. Nëse kthen në vepër penale sjelljet tradicionale, mund të lindin probleme. 943 nene janë shumë, kriminalizohen shumë sjellje shoqërore. Kodi belg është kodi më i ri dhe ka marrë 8 vite e 9 muaj kohë që të përgatitet.
Kur është bërë i plotë kodi në Belgjikë, është thënë se do të zbatohet më 2026, ndërsa në Shqipëri thuhet se zbatimi do të nisë 15 ditë pas botimit në Fletore Zyrtare. Duhen bërë rikonceptimi për procedimet që janë aktive dhe kështu mbingarkojmë sistemin e drejtësisë. Po nxitojmë.



