Parlamenti i ri i cili do të nisë punën në shtator do të nisë me shqyrtimin e draftit të ri të kodit penal, i cili u prezantua pak ditë më parë nga krerët më të lartë të Drejtësisë në vend.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet se “Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”.
Ndërkohë që pika 3 i referohet publikimit të të dhënave konfidenciale. “Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi”.
Një tjetër nen i debatueshëm është 536 që ka të bëjë me ndikimin në pavarësinë e gjyqësorit. Komentet që kanë për qëllim ndikimin e gjykatës gjatë vendimmarrjes pritet të dënohen me burgim deri në 3 vjet, sipas kodit të ri penal.
Neni 516
Zbulimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë
Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Zbulimi që ka sjellë si pasojë vdekjen, plagosjen e rëndë ose ka rrezikuar seriozisht jetën apo shëndetin e dëshmitarëve ose të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të familjarëve të tyre apo të punonjësve të policisë, të ngarkuar me mbrojtjen e tyre dënohet sipas dispozitës penale të posaçme bazuar në llojin e pasojës së ardhur dhe, konkurron me paragrafin një të këtij neni.
Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.
Neni 536
Ndikimi në pavarësinë e gjykatës
Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
