Skip to content

Kodi Penal për karantinën i vitit 1995, ja pse u vendos 15 vjet burg për shqiptarët

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, foli në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, për vendimin e qeverisë për të ashpërsuar Kodin Penal për ata që shkelin masat kundër koronavirusit.

Deputeti Manja tha se Kodi Penal ka pasur një boshllëk që në vitin 1995 kur hyri në fuqi, sa i takon ndëshkimeve për karantinën, kur flitet për mbrojtjen e jetës së njeriut nga epidemitë. Manja tha se ky boshllëk do të plotësohet pikërisht tani, kur vendi po përballet me COVID-19.

I pyetur se përse bëhen ndryshime kaq të forta në Kodin Penal, kur mbi 99 për qind e popullsisë ka zbatuar të gjitha masat, Manja tha: Nuk janë ndryshime në Kodin Penal, por janë plotësime të një boshllëku ligjor që kemi që nga viti 1995, kur ka hyrë në fuqi Kodi Penal.

Kemi ndërhyrë plot 30 herë, por askush nuk është kujtuar për të pasur në Kodin Penal disa nene që marrin në mbrojtje jetën dhe shëndetin publik. Hartuesit e Kodit Penal të 1995 janë kujdesur të kenë ndëshkime për karantinën për kafshët, por ka një boshllëk në lidhje me mbrojtjen e jetës nga epidemitë. Meqë na ra halli tani, nuk do të thotë që të mos e bëjmë këtë plotësim, por t’ia lëmë sërish harresës.

Jam darkod që shqiptarët i kanë zbatuar masat, por dinamika e përhapjes së virusit na tregon se pikërisht kjo pakica e vogël e pandërgjegjshme, ndaj të cilës nuk japin efekt masat e ndërmarra deri më tani, lipset që për ta garantuar këtë hapjen graduale të jetës pas pandemisë në Shqipëri, është shumë e nevojshme që të kemi në Kodin Penal nene të caktuara, që penalizojnë veprime ose mosveprime të caktuara të kësaj pakice të pandërgjegjshme njerëzish, që rrezikojnë seriozisht përhapjen e sëmundjeve infektive dhe dëmtin rëndë të jetës së shqiptarëve. Me këtë që po bëjmë po plotësojmë këtë vakuum që kemi në Kodin Penal.