Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi i kërkon Parlamentit të presë këshillat e Komisionit të Venecias mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përpara se ta miratojë atë në seancë plenare.
Në një postim në “Twitter”, Varhelyi shpreh besimin se Komisioni i Venecias do t’i mundësojë këshillat së shpejti, sikundër dëshirën për zgjedhje të ndershme më 25 prill 2021.
“Kodi zgjedhor në Shqipëri: Besoj se Komisioni i Venecias do të ofrojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen. Mezi po pres të shoh zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, – shkruan Varhelyi.
Risjellim në vëmendje se Presidenti Ilir Meta i dërgoi të premten Komisionit të Venecias një sërë pyetjesh për një opinion urgjent rreth ndryshimeve sipas tij të njëpasnjëshme në Kodin Zgjedhor.
