Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për sulmin në Veri të Kosovë prej ku mbeti i vrarë polici kosovare, Afrim Bunjaku.

Tabaku shkruan se Serbia, përmes këtyre akteve dëshmon se nuk do zgjidhje përmes dialogut, ndaj kërkon që ndërkombëtarët të marrin masa.

Ndërsa sa i përket qëndrimit të Shqipërisë, Tabaku thotë se “dyanësia nuk është më një gjuhë e përshtatshme, pasi dyanësia në një luftë ku ka/kemi agresor e viktimë nuk shkon më! Sot është koha për të ushtruar presion mbi Serbinë e për të qënë me Kosovën!”

Postimi i plotë i Jorida Tabakut:

Ndërsa bota pret reflektimin e qeverisë serbe për dialogun me Kosovën dhe njohjen e kësaj të fundit. Qeveria Serbe në Beograd shkon në ekstremin e adhurimit të terroristëve dhe vrasësve që u vranë nga forcat e policisë së Kosovës pasi kishin vrarë një efektiv të policisë dhe plagosën dy të tjerë.

Revizionizmi, destruktiviteti, dhuna e agresiviteti nuk duhet të jenë mjete e instrumente në politikë e diplomaci. Në të gdhirën e të hënës një polic i forcave të Republikës së Kosovës u vra në territorin e Kosovës e dy të tjerë u plagosën. Ndërkohë që presim që komuniteti ndërkombëtar të marrë masa ndaj Serbisë për aktin e disatë agresiv ndaj Kosovës, Serbia vazhdon e dërgon sinjale se nuk e kanë kokën nga e ardhmja por nga e shkuara, se nuk duan zgjidhje mes dialogut por anarshi.

Ky konflikt i ndezur kur Evropa është në mes të një lufte të  stisur nga fashizmi veçse na sjell reminishenca nga një kohë e largët dhe e dhimbshme për rajonin. Historia e dhimbshme e Kosovës na ka treguar se lufta për të drejtën, lufta për liri e për pamvarësi nuk është e lehtë. Por sot mbas 15 vitesh shteti të pavarur është e papranueshme, kriminale e pajistifikueshme dhe e panevojshme mbajta e një zjarri ndezur që nuk sjell asnjë dobi!

Venerimi atyre që kryen akte terroriste vjen nga dëshpërimi për të pranuar realitetin dhe për këtë duhen marrë masa është koha për të mos ceduar përballë frymës që kërkon të ndryshojë të tashmen me dhunë; koha për të mos lejuar askënd të mbajë peng rajonin në një luftë të panevojshme.

E për shtetin Shqiptar: dyanësia nuk është më një gjuhë e përshtatshme; dyanësia nuk ka sjellë asnjë përfitim; dyanësia në një luftë ku ka/kemi agresor e viktimë nuk shkon më! Sot është koha për të ushtruar presion mbi Serbinë e për të qënë me Kosovën!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re