Kreu i shtetit Ilir Meta, përmes një postimi në facebook, ka kujtuar eksodin masiv të shqiptarëve drejt Italisë me anijen Vlora, më 8 gusht 1991. Presidenti Meta shprehet se edhe pas 29 viteve eksodi i shqiptarëve nuk ka ndalur por vijon të jetë aktiv edhe ende në ditët e sotme, duke u bërë kështu një problem serioz që mund të sjellë shpopullimin e vendit.

Postimi i Presidentit Meta: Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë.

Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.

Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur.

Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Europa! Koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre!

Koha për ta ndërtuar Europën ketu! Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues!

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re