Partia Socialiste zhvilloi dje “online” mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi një regjistrim real të anëtarëve të partisë. Pas këtij momenti, Rama paralajmëroi zgjedhje brenda partisë.

Sipas tij, ka ardhur koha që të bëhet zgjedhje për riorganizimin e partisë.

“Janë konstatuar probleme në përbërjen e organizatave dhe regjistrin e partisë. Ka nevojë për të arritur me balancën gjinore në bashkëdrejtimin e organizatave të Partisë. Duhet një cens real i anëtarëve aktivë. Duhet të ndahet veç pjesa joaktive. Duam minimalisht 4 anëtarë të rinj në çdo organizatë. Dua dokumentim organizatë më organizatë prej çdo drejtuesi politik. Dua raport dhe fotografi. Pas kësaj, bëjmë zgjedhje 15 mars-15 prill. Duhet ripërtëritje të çdo qelize të partisë”, – mësohet të jetë shprehur Rama.

Nga drejtuesit e qarqeve ka kërkuar të dokumentojnë punën që po bëhet nga çdo organizatë si dhe ripërtëritje të çdo qelize, ndërsa më 15 mars-15 prill do të mbahen dhe zgjedhjet për kryetarët e degëve.

“Asambleja dhe drejtuesit e qarqeve të punojnë për të rritur me 4 anëtarë çdo organizatë. Punoni sikur në 15 mars të ishin zgjedhje të përgjithshme. Strukturat të jenë aty për njerëzit, inventar për çdo familje, problematikat që kanë”, – mësohet t’u ketë thënë drejtuesve Rama.

Asambleja e PS do të mblidhet edhe më 16 mars në një takim në qytetin e Durrësit. Takimi i fundit i anëtarëve të Asamblesë ishte më 11 shkurt, ku u bë një analizë e strukturave socialiste në qarqe. Ndërsa në fokus ishin edhe përgatitjet për zgjedhjet parlamentare 2025. Pas mbledhjes kreu i PS-së, kreu i mazhorancës tha për gazetarët se kjo mbledhje kishte si qëllim për të vijuar me angazhimet e reja, ku përfshihen edhe balancat gjinore në ato organizata ku ka probleme.

“Shkoi shumë më mirë se sa disa nga kolegët mendonin dhe shpreheshin. Jemi në fazën e dytë, që është faza e angazhimit për anëtarësimet e reja, dhe për adresimin e balancës gjinore, në disa organizata në çdo qark”, – theksoi Rama. I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë ndryshime në parti, Rama theksoi se PS është këtu sot për shkak se herë pas here ndryshon veten. “Ndryshimet janë pjesë e jetës së PS, prandaj PS është parti fituese pasi ndryshonin vetveten. Unë shoh një angazhim pozitiv edhe nga raportimet e sotme, është e qartë që angazhimi është pozitiv. Plus që sistemi ynë është një sistem që ka pasqyra të cilat flasin vetë dhe nuk është se çfarë raporton njëri apo tjetri”, – tha Rama.

AMNISTIA, MCGONIGAL DHE PROTESTAT

Kryeministri Edi Rama i kthye dje përgjigje Lulzim Bashës, i cili deklaroi se ai dhe deputetët që e mbështesin atë nuk do ta votojnë amnistinë penale të enjten në Kuvend. Duke folur për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë së PS, Rama tha se nuk është në dijeni ende për axhendën e nesërme të Parlamentit, ndërsa Bashës i përmendi orarin e gjumit.

“Nuk jam në dijeni në këtë moment, të axhendës nesër të Parlamentit, sepse juve jeni të lirë të mos ta besoni por ne i kemi punët e ndara. Unë jam në Parlament një deputet që shkoj edhe ndjek çfarë është përgatitur. Ndërkohë që nuk e di se si është axhenda nesër, di vetëm faktin që është bërë një diskutim mbi një keqkuptim total që është krijuar dhe është adresuar menjëherë sot nga ministri i Drejtësisë, ashtu sikundër është adresuar dhe në komision. Në çfarë ore e tha? Sa ishte ora? Ka qenë akoma përgjumësh”, – ironizoi kreu i qeverisë. Rama foli edhe për çështjen “McGonigal”.

Kryeministri tha se do e takonte sërish Charles McGonigal nëse do të kthehej pas, edhe pse ky i fundit është dënuar në SHBA për korrupsion. I pyetur nëse mendon se do të hetohet për këtë rast Rama tha pas mbledhjes së Asamblesë Socialiste se ai nuk ka asnjë lidhje me ato që janë thënë në dokumentet e SHBA dhe theksoi se takimet e tij janë bërë në funksionin e kryeministrit.

“Unë në prononcimet e mia lidhur me këtë çështje i jam referuar pikë për pikë çfarë është thënë në dokumentet zyrtare në SHBA, sepse vetë nuk kam pasur dijeni lidhur me çfarë kanë publikuar institucionet në SHBA. McGonigal e kam takuar dhe do e takoja sa herë të kthehesha prapa, sepse po të më kërkohen takime nga zyrtarë amerikane, evropiane apo të vendeve aleate, do i mirëpres gjithmonë. Duhet ta pranoni se te kjo çështje duhet ta pranoj se ja keni futur kot”, – u shpreh kreu i qeverisë.

Pyetjes se a e impakton organizimi i opozitës me protestën e 20 shkurtit, kryeministri Rama iu përgjigj duke thënë se nuk e ndjek opozitën. Sipas tij ajo nuk është opozitë, por janë grupe.

“Nuk kam informacion për organizim të opozitës, nuk e ndjek opozitën sepse nuk kam asnjë interes dhe asnjë arsye që të jemi i vëmendshëm që të di se çfarë bën ajo. Ju që thoni opozita… Në fakt nuk është opozita, por janë konglomerate, grupe dhe realisht nuk kam…”, – u shpreh Edi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re